Qyteti i Vlorës është përfshirë pasditen e së martës nga një stuhi e beftë shiu, e cila shkaktoi probleme serioze në disa zona dhe rrugë kryesore, duke paralizuar përkohësisht qarkullimin dhe duke krijuar shqetësime për qytetarët, pushuesit dhe bizneset lokale.
Reshjet e dendura që zgjatën për disa minuta, por me intensitet të lartë, shkaktuan përmbytje të shpejta në disa prej lagjeve më të populluara të qytetit, siç janë: sheshi “Albano & Romina”, apo lagjja “Pavarësia”.
Në këto zona, uji mbuloi rrugët duke krijuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Në disa segmente rrugore, automjetet u bllokuan për shkak të prurjeve të mëdha të ujit dhe kanalizimeve të bllokuara.
Gazetarja Greta Haskaj, ka raportuar për Klan News se aksi i rrugës “Hasan Kushta” u përmbyt pjesërisht, por fatmirësisht nuk u raportuan dëme të drejtpërdrejta në bizneset përreth.
Megjithatë, qarkullimi në këtë segment dhe në shumë akse të tjera u bë i pamundur për më shumë se një orë, duke shkaktuar radhë kilometrike dhe kaos në trafik.
Shërbimet e emergjencës ndërhynë menjëherë me pastrimin e pusetave për të ndihmuar në largimin e ujërave dhe rivendosjen e normalitetit.
Stuhia nuk kurseu as vijën bregdetare të Vlorës, ku përmbytjet prekën zona të frekuentuara nga pushuesit.
Për shkak të reshjeve të papritura, shumë prej tyre u detyruan të largohen në mënyrë të rrëmujshme nga plazhet, duke krijuar rrëmujë dhe konfuzion në zonat turistike./tvklan

















