Nga 27 mijë maturantë në mbarë vendin, mbi 20 mijë kanë aplikuar për të fituar një të drejtë studimi në universitetet e vendit.
Në krahasim me vitin e shkuar, numri i maturantëve që kanë aplikuar në këtë raund të parë është rritur me 2.5%, pasi vjet aplikuan 19.700 maturantë.
Sipas kreut të rrjetit akademik shqiptar, Arjan Xhelaj, rritja e numrit vjen edhe si pasojë e qasjes së re të universiteteve dhe ndërkombëtarizimit.
“Sivjet numri i aplikantëve është më i lartë se vitin e kaluar. Kemi rreth 20 mijë e 200 maturantë që e kanë mbyllur aplikimin me formularin A2. Kërkesa ka ardhur si efekt i reagimit të universiteteve për të afruar programet e studimit me tregun e punës. Po marr rastin e Bujqësorit, është tipik, kur bashkëpunimi i universiteteve vendoset në një bazë të shëndoshë,” tha Arjan Xhelaj, kreu i rrjetit akademik shqiptar.
Sipas kreut të rrjetit akademik shqiptar, këtë vit degët e inxhinierisë dhe teknologjia e informacionit kanë kaluar 30% të aplikimeve në total.
“Këtë vit kemi inxhinieritë e informatikës së bashku, të cilat kanë kaluar shifrën 30% dhe është një trend i mirë, sepse, pak a shumë, është në ato profesionet që ofrojnë mundësi punësimi edhe për të tjerët, nëpërmjet mundësive ekonomike. Shkenca mjekësore në përgjithësi, plus infermierinë që renditet e dyta, dhe është stabël si gjithmonë. Ekonomiku që ka vendin e tretë, sepse është një kërkesë solide që e kërkon çdo fushë e ekonomisë dhe e shoqërisë që të ketë profesionistë të fushës.”
Shpallja e fituesve do të bëhet më 25 gusht, por sipas Xhelajt, maturantët që kanë degë me konkurs duhet të ndjekin faqet e universiteteve për datat e testimeve./Klan News