Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka publikuar pamjet e punimeve nga restaurimi i Muzeut Historik Kombëtar.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Gonxhja ka publikuar videon ku tregon gjendjen në të cilën ndodhej Muzeu dhe se si do të bëhet.
Më tej, ai thotë se po rikthejnë Muzeun Historik Kombëtar në një institucion dinjitoz dhe bashkëkohor, të denjë për të ruajtur dhe treguar historinë kombëtare.
“Mirëmëngjes nga Muzeu Historik Kombëtar, ku pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-tës, ka nisur restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi më i rëndësishëm i këtij institucioni simbol, me një ndërhyrje madhore në kuadër të programit #EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.
Aktualisht në fazën e parë, punimet përfshijnë:
Paketim dhe evakuim të artefakteve,
Konsolidim dhe përforcim strukturor,
Rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë,
Instalimin e sistemit të monitorimit CAM,
Restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).
Ndërkohë, MEKI është në proces buxhetimi për Fazën e II-të, për të garantuar vijimin e këtij transformimi rrënjësor, që do të përfshijë:
Shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike;
Fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike;
Sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor.
Po rikthejmë Muzeun Historik Kombëtar në një institucion dinjitoz dhe bashkëkohor, të denjë për të ruajtur dhe treguar historinë tonë kombëtare”, shkruan Gonxhja në rrjete sociale.