Qeveria Gjermane miratoi eksportet e pajisjeve ushtarake në Izrael me vlerë gati 4 milionë euro.
Siç raportohet kjo gjë u zbulua pas një përgjigjeje nga Ministria e Ekonomisë ndaj një pyetjeje të paraqitur në Bundestag nga deputetja Desiree Becker e partisë Die Linke, një kopje e së cilës u sigurua nga Agjencia Gjermane e Lajmeve.
Prodhuesit gjermanë, midis 7 majit dhe 10 qershorit, siguruan licenca për eksporte me vlerë 3.98 milionë euro në Izrael, një vend që është kritikuar ashpër kohët e fundit, përfshirë edhe nga vetë Kancelari Merz, për mënyrën se si ushtria e tyre ka zhvilluar luftë kundër Hamasit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023.
Po sipas Ministrisë, pajisjet të cilave iu dha leja për t’u eksportuar nuk përfshinin armë ushtarake. Sipas tyre këto janë miratime për eksportet e një vëllimi relativisht të vogël të mallrave ushtarake.
Qeveria e mëparshme eksportoi mallra ushtarake me vlerë gati gjysmë miliardi euro në Izrael pas ndërhyrjes së Hamasit në territorin jugor. Ndërkohë vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, artikujt që siguruan licenca eksporti arritën një vlerë prej 28 milionë eurosh, që do të thotë se Izraeli ishte blerësi i dhjetë më i madh i pajisjeve ushtarake gjermane.