Nga data 16 qershor deri më 15 shtator 2025, në të gjithë vendin do të ndalohet qarkullimi i automjeteve të tonazhit të rëndë, në fundjavë dhe ditët e pushimit zyrtar.
Është kjo një nga masat e marra nga Policia e Shtetit në kuadër të sezonit veror, ku pritet të ketë shtim të qarkullimit të automjeteve, kryesisht në zonat bregdetare.
E pikërisht në këto qytete, ku fluksi i turistëve vendas dhe të huaj do të jetë më i lartë, uniformat blu pritet të shtojnë kapacitetet me rreth 350 efektivë policie nga drejtoritë e tjera vendore.
Gjatë kësaj kohe, punonjësit e policisë, të cilët do të shërbejnë në zonat bregdetare, do të kryejnë çdo ditë 12 orë shërbim.
Nisur nga incidentet e regjistruara në ditët e fundit me mjetet lundruese, ku për fat të keq ka humbur jetën 1 turist anglez dhe janë plagosur 3 të tjerë, fokus i veçantë do t’i kushtohet monitorimit të hapësirës detare.
Jet Ski-të dhe skafet janë mjetet më problematike, që pavarësisht monitorimit të uniformave blu, shpesh herë bëhen protagonistë me manovrat e rrezikshme, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e pushuesve.
Pikat kufitare janë gjithashtu pjesë e planit të masave për sezonin veror, ku shtimi i lëvizjes së qytetarëve detyron rritjen e kapaciteteve në njerëz, por edhe shtimin e sporteleve me qëllim përballimin e fluksit.
Për të garantuar zbatimin e të gjithë këtyre masave, policia thotë se do të ketë edhe grupe monitorimi në terren për efektivët./tvklan