Është pezulluar përkohësisht vendimi i administratës Trump për t’i ndaluar Universitetit të Harvardit regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë.
Mësohet se vendimi u mor nga gjykatësja Alison Burroghs, disa orë pasi institucioni arsimor paraqiti një padi kundër këtij veprimi, duke e cilësuar atë si një “hakmarrje politike”.
Sipas gjykatëses, revokimi i certifikimit për programin e studentëve ndërkombëtarë shkel ligjin dhe të drejtat kushtetuese të universitetit.
Në padinë e dorëzuar, Harvard akuzon administratën se po ndëshkon universitetin për qëndrimin e tij të pavarur dhe refuzimin për të zbatuar kërkesat ideologjike të qeverisë. Këto përfshijnë dorëzimin e të dhënave disiplinore të studentëve dhe ndërprerjen e iniciativave për barazi dhe përfshirje.
“Ky është një veprim hakmarrës ndaj të drejtës së Harvardit për të mbrojtur pavarësinë akademike dhe lirinë e shprehjes,” thuhet në dokumentet e paraqitura në gjykatë.