Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ka reaguar pasi dhjetëra kandidatë për deputetë të PS dhe PD, i kanë bërë kërkesë KQZ-së për pamjet filmike të numërimit të votave.
Nga Parku Olimpik, Balla tha se transparencën më të mirë në këtë rast, e bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Insistoj që transparenca në këtë këndvështrim, edhe për shkak të numrit të madh, të orëve të gjata të pamjeve filmike, më mirë sesa e ka bërë KQZ nuk e bën askush. Duroni kur ta bëjë KQZ-ja”, tha ai.
Sipas Ballës, kjo gjë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e vitit 2021, ato të 2023-shit dhe do të ndodhë edhe në zgjedhjet e këtij viti.
“Secili është pjesë e një ekipi. Sa i përket, PS-ja respekton vullnetin e gjithë qytetarëve, edhe atyre që na kanë besuar, edhe ata që nuk na kanë besuar. Meqë ma kërkuat këtë gjë, atë që thashë këtu ia kam thënë çdo kolegu. Falë betejave të PS kur kemi qenë në opozitë, mbani mend nga viti 2009 kemi kërkuar që jo për efekt ndryshimi rezultati, por për efekt transparence të hapeshin kutitë dhe të rinumëroheshin”, tha Balla.
Ai theksoi se mjaft kandidatë kanë pasur rezultate mjaft të mira edhe pse nuk kanë arritur të marrin një mandat.
Sipas Ballës, ato duhet të presin transparencën që do bëjë KQZ-ja në përfundim të numërimit.
“Kam pasur komunikim me shumë kolegë deputetë. Kam uruar ata që kanë qenë fituar, kam përgëzuar ata që kanë qenë pranë dhe nuk kanë fituar sepse në fund të fundit këtu ajo që ka fituar ka qenë Shqipëria.
Këtu kam qenë bashkë me kolegen Gjylameti të cilën e përgëzoj sepse ka pasur një rezultat shumë të mirë. Po rezultat të mirë kanë pasur plot kolegë të tjerë. Do sugjeroja që të presim transparencën që do bëjë KQZ-ja”, tha Balla.