Kryeministri, Edi Rama ka zhvilluar mesditën e sotme një takim me qytetarët në Burrel.
Ai ka folur për rrugën e Arbrit, teksa tha se ka shtuar interesin për të vizituar zonën.
Rama theksoi gjatë fjalës së tij, se kjo zona e Dibrës do të jetë një nga zonat më të kërkuara.
“Është kënaqësi të vish këtu. Më vjen mirë që tanimë edhe tuneli kokëfortë i Murrizit u dorëzua dhe për pak ditë do të mbyllim edhe segmentin e fundit të mbetur Maqellarë-Peshkopi sepse megjithëse këtu në Mat më kanë thënë mos u lodh kot se dibranëve aty lart nuk ua mbyll gojën kurrë, por kur t’ua çojmë rrugën e Arbrit deri te hoteli i Astritit ma ha mendja që për ca kohë do na i kursejnë nga spicat e tyre.
Kënaqësi edhe për një arsye tjetër se ky qytet nuk njihet më në krahasim me çfarë ishte përpara sesa ne të merrnim besimin e popullit të Matit, dhe realisht me rrugën e Arbrit, një lidhje e shkurtër me Tiranën me transformimet në qytet dhe natyrën e jashtëzakonshme që ka përreth nuk është e ekzagjeruar që të imagjinosh që në 5-6 vjet, kjo zonë do të jetë një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit. Duket si fantazi, por nuk është fare.
Do të ishte realisht e pamundur ta imagjinonim një gjë të tillë me rrugën e deridjeshme ku të thyeshin brinjët për të ardhur deri këtu, por sot është normale ta mendosh sepse faktikisht distanca është bërë thuajse e barabartë me Durrësin kur ka trafik. Durrësi ka detin, kjo zonë ka malet dhe pyjet e mahnitshme. Kështu që unë jua them miqve të mi nga Dibra, blini ça të mundeni sot se nesër s’do të blini dot. Jam i bindur që që tani kanë filluar të ndihen efektet në vlerën e apartamenteve. Nuk kam pyetur ,por jam i bindur që kanë nisur që tani të ndihen efektet edhe këtu edhe në Peshkopi”, theksoi Rama.