Kryeministri Edi Rama ka vijuar përballjen e tij “sy m’sy” nga “Facebook” me qytetarët. Këtë të hënë Rama zgjodhi të futet mes një debati virtual mes komentuesve sa i takon kthimit të emigrantëve shqiptarë në vend.
Së pari, theksoi se 57% e rrogave në Shqipëri nuk taksohen dhe se nuk ekziston më rroga në vlerën 250 mijë lekë.
Sipas tij, në Shqipëri në sektorët e turizmit dhe ndërtimit merr po aq sa në Greqi, me ndryshimin e vetëm se paguan më pak taksë.
“Mirëmëngjes nga Partia Socialiste! Debat interesant dhe me lejen tuaj po hy edhe unë me mendimin tim. E para, ka kohë që nuk ka më rroga 250 mijë lekë të vjetra në Shqipëri dhe e dyta, rroga është ajo që duket, por pas saj ka edhe taksa. Që ta dini, 57% e rrogave në Shqipëri nuk kanë asnjë taksë, ndërsa 36% e tyre kanë nga 4 deri në 10% taksë. Kurse rrogat deri në 1300 euro e kanë taksën mbi 10%. Në turizëm dhe në ndërtim në Shqipëri merr sa në Greqi! Paguan më pak taksë…Ndërsa kur je jashtë qytetit tënd, edhe fjetjen ta paguan kompania. Këto janë faktet dhe me këto shpjegohet kthimi i atyre që vijnë të punojnë në turizëm apo i atyre që investojnë në agro-turizëm kursimet e tyre jashtë, se i del ku e ku më mirë.”
Në mbyllje, vijoi me thirrjen e tij për të gjithë ata që duan t’i kthejnë sytë nga Shqipëria.
“Dhe e treta, avash me kekun dhe byrekun se nuk janë më kohërat që ishin. Nuk është më njësoj bota, Europa sot, me atë që ishte deri dje dhe kostoja e jetesës është rritur aq shumë sa nuk ka më kursime si dikur. Prandaj qetësisht secili të shohë punët e veta dhe le të vendosë. Qoftë për t’u kthyer plotësisht, qoftë pjesërisht apo duke investuar këtu dhe duke qëndruar atje. Të gjitha këto janë të mundura dhe të gjitha këto i gjen tek njerëzit që janë kthyer apo i kanë kthyer sytë nga Shqipëria. Jemi në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030, për pak vite do jemi anëtarë të Bashkimit Evropian! Gjithçka do të ndryshojë, por kush vjen sot i jep vetes mundësinë të fitojë më shumë përpara hyrjes në BE, kur gjithçka do të bëhet njësoj”, tha kreu i qeverisë.