Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur një hetim për vetëvrasjen e 17-vjeçares, tre ditë më parë në banesën e saj.
Sipas autoriteteve, është regjistruar procedim penal për veprën ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka regjistruar procedimin penal për veprën penale ‘Shkaktimi i vetëvrasjes’ parashikuar në nenin 99 të Kodit Penal.
Mbi bazën e materialeve të referuara nga Komisariati i Policisë Gjirokastër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër ka regjistruar procedimin penal nr.70, të vitit 2025 në lidhje me ngjarjen e datës 10.02.2025, ku në banesën e saj në Gjirokastër u gjet e vdekur shtetasja e mitur I. M.
Në kuadër të këtij procedimi, është ngritur grupi hetimor, i cili po kryen me prioritet të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, duke nisur nga pyetja e personave që kanë dijeni për veprën penale”,-thuhet në njoftim.