Falë një operacioni të zhvilluar gjatë një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda proaktive, janë arrestuar 12 persona në Gjirokastër.
Uniformat blu bëjnë me dije se nga hetimet rezulton se këta shtetas janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Gjithashtu janë pezulluar nga detyra dy shtetasit L. K., 32 vjeç dhe O. B., 29 vjeçe, të dy banues në Gjirokastër, me detyrë punonjës policie në PKK Kakavijë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
“Finalizohet faza e tretë e operacionit policor antidrogë të koduar “Andromeda”.
Operacioni, si rezultat i një hetimi disa mujor të ndjekur me metoda proaktive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSH nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Gjatë fazës së tretë u ekzekutuan masat e sigurisë për 12 shtetas (10 prej tyre me masë sigurie “Arrest në burg” ndërsa 2 me masë sigurie “Arrest në shtëpi”), pjesëtarë të një grupi kriminal të implikuar në shitjen e lëndëve narkotike, në qytetin e Gjirokastrës.
Në vijim të hetimit të kryer me metoda proaktive në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Andromeda”, në drejtimin e Prokurorisë, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin Operacional në DVP Gjirokastër dhe me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Gjirokastrës, për shtetasit:
– H. H., 38 vjeç, D. O., 38 vjeç, K. G., 26 vjeç, B. C., 42 vjeç, R. Gj., 33 vjeç, dhe E. T., 35 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim.
– I. K., 49 vjeç, E. D., 22 vjeç, E. Ç., 36 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-Si dhe për shtetasin Th. K., 41 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit E. N., 25 vjeç dhe M. F., 23 vjeç, të dy banues në Gjirokastër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me 5 të tjerë të arrestuar në datat 25.10.2024 dhe 13.11.2024, të organizuar si grup, janë të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, kryesisht në Gjirokastër.
Gjithashtu, në bashkëpunim me AMP, u ekzekutuan masat e sigurisë “Pezullim i ushtrimit të një funksioni apo shërbimi publik”, për shtetasit L. K., 32 vjeç dhe O. B., 29 vjeçe, të dy banues në Gjirokastër, me detyrë punonjës policie në PKK Kakavijë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë kontrolleve të ushtruara për të gjetur provat materiale me qëllim të dokumentimin ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, janë gjetur dhe sekuestruar shuma të konsiderueshme vlerash monetare, lëndë narkotike Cannabis dhe Kokainë, municion luftarak, celularë, automjete, dokumente të falsifikuara, mallra kontrabandë etj”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./Opinion.al