Nga selia blu,kryetari i PD, Sali Berisha ka deklaruar se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është larguar nga Shqipëria, në drejtim të panjohur.
Kryedemokrati e konsideron këtë veprim si një akt të rëndë dhe thotë se është organizuar dhe orkestruar nga Rama.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 përqind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur. Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama”, tha Berisha.
Berisha hodhi akuza ndaj Veliajt duke e cilësuar si “bashkëautor dhe dëshmitar të vjedhjeve më të paimagjinueshme që Rama i ka bërë Shqipërisë”. Kryetari i PD-së tha se kryeministri Edi Rama ka bllokuar lëshimin e urdhër-arrestit për Veliajn.
“Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 përqind të pronësisë. Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë. Dënoj në mënyrën më të ashpër këtë akt superskandaloz. Rikujtoj qytetarët shqiptarë se Erion Veliaj ishte thirrur të paktën 3 herë për orë të tëra në Skapin e partisë dhe herën e fundit, ai u njoh me dokumente të cilat besonte se nuk ia dinte kush mbi tokë. Herën e fundit, ai u gjet para pohimeve të bashkëshortes dhe vëllait të tij, të cilat e inkriminonin atë në mënyrë fatale. Herën e fundit, Erion Veliaj u vendos para dokumentave, llogarive bankare, të cilat janë vetëm maja e ajsbergut e parave të vjedhura prej tij. Të gjithë të dhënat flasin se ai depozitat më të mëdha i ka në Dubai”, tha Berisha.
Kujtojmë se SPAK ka sqaruar në lidhje me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj se ka regjistruar procedim, fillimisht për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.
Prokuroria e Posaçme thotë se informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar me inicialet N.A. SPAK deklaron se deri në këtë fazë të hetimit ka gjetur prova që lidhen me disa vepra të tjera penale.
Kujtojmë se herën e fundit që Veliaj u paraqit në SPAK qëndroi atje rreth 5 orë për të dhënë dëshminë e tij. Më pas nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, Veliaj deklaroi se është denoncuar nga shtetasi Nesti Agoni, një njeri anonim që nuk ekziston. Ai u shpreh se ndaj tij është ngritur një kurth dhe gjithçka është sajuar.
Ndërkohë avokatët e Veliajt e kanë quajtur hetimin e SPAK si keqdashës, të qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin.