Mbi 50 persona janë shoqëruar nga Policia në lidhje me protestën e djeshme të organizuar nga opozita, ku u bllokuan disa nga akset kryesore të lëvizjes së mjeteve në kryeqytet. Dy persona janë arrestuar, ndërsa autoritetet kanë proceduar në gjendje të lirë deputetët e Partisë Demokratike që kishin organizuar protestën.
Për afro 3 orë, opozita protestoi mbrëmjen e djeshme duke bllokuar 5 akset kryesore në kryeqytet para Bashkisë së Tiranës, sheshin “Willson”, rrethrrotullimin e Zogut të Zi, Pallatin me Shigjeta dhe kryqëzimin e rrugës së Elbasanit.
Protesta nisi në orën 17:00 me përplasje dhe tensione mes protestuesve dhe policisë. Kjo e fundit kishte njoftuar PD-në se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale, çka është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës. Gjatë kësaj proteste ishin të angazhuara rreth 1 mijë forca policie në 5 pikat kryesore të Tiranës.