Shefi i ri i diplomacisë izraelite, Gideon Saar, do të udhëtojë në Amsterdam për një “vizitë urgjente diplomatike” pas përplasjeve pas ndeshjes së futbollit midis Ajax-it dhe Maccabi Tel-Aviv. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Jashtme izraelite.
“Në dritën e ngjarjeve të rënda, ministri i Jashtëm Gideon Saar së shpejti do të niset për një vizitë urgjente diplomatike në Holandë”, tha ministria në një deklaratë.
Dhjetë tifozë izraelitë të Maccabi Tel Aviv u plagosën pasi u sulmuan në Amsterdam nga një turmë pro-palestineze, njoftoi Ministria e Jashtme e shtetit hebre, cituar nga mediat izraelite.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dënoi, gjatë një telefonate me kryeministrin holandez Disk Schoof, atë që ai e përshkroi si “një sulm të paramenduar” ndaj tifozëve izraelitë të futbollit në Amsterdam.
“Kryeministri Netanyahu deklaroi se ai e merr me seriozitetin më të madh sulmin e paramenduar antisemitik kundër qytetarëve izraelitë dhe bëri thirrje për siguri më të madhe për komunitetin hebre në Holandë”, thuhet në një shënim nga zyra e tij
Netanyahu i bëri thirrje kryeministrit holandez Dick Schoof dhe forcave lokale të sigurisë “të veprojnë me vendosmëri dhe shpejt kundër rebelëve” dhe bëri thirrje që dy avionë të dërgohen në Amsterdam për të rikthyer qytetarët izraelitë që ishin viktima të sulmit.
Në internet janë publikuar video që tregojnë njerëz me fytyrat e mbuluara dhe me flamuj palestinezë duke sulmuar një tifoz të Maccabi, i cili u mposht mbrëmë nga Ajax në Europa League.
Kryeministri holandez Dick Schoof dënoi dhunën ndaj tifozëve izraelitë, duke i quajtur ata “sulme antisemite”. “Unë i ndjek me tmerr lajmet që vijnë nga Amsterdami – shkroi ai në X. Sulmet antisemite kundër izraelitëve janë absolutisht të papranueshme. Unë jam në kontakt të ngushtë me të gjithë njerëzit e përfshirë”. Schoof tha gjithashtu se ai foli në telefon me Netanyahun duke i siguruar ata se “fajtorët do të gjurmohen dhe ndiqen penalisht”.
Idinjatë për sulmet ndaj tifozëve izraelitë ka shprehur edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Në një postim në X, ajo ka dënuar ngjarjet dhe thotë se antisemitizmi nuk ka vend në Evropë.
“Jam e indinjuar nga sulmet frikacake të mbrëmshme ndaj qytetarëve izraelitë në Amsterdam. Sapo fola me kryeministrin Schoof. I dënoj fuqishëm këto akte të papranueshme. Antisemitizmi nuk ka absolutisht vend në Evropë. Dhe ne jemi të vendosur të luftojmë të gjitha format e urrejtjes”, shkruan presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në X.
Përplasjet shpërthyen gjatë natës në qendër të qytetit holandez në fund të ndeshjes së futbollit mes Ajax-it dhe Maccabi, të cilën vendësit e fituan 5-0. Autoritetet lokale thonë se kanë kryer 57 arrestime në total gjatë ditës.