Janë zbardhur diskimet mes Grupit Parlamentar të PD-së dhe delegacionit të Parlamentit Europian që ndodhen në Tiranë.
Deputetët e opozitës, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi, kanë shprehur mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë, por duke vënë theksin tek vërtetësia e pasqyrimit të situatës në vend.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka ngritur shqetësimet e opozitës për izolimin e liderëve si dhe për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca.
“Ne ndjekim rrugën ligjore për çështje që mendojmë se janë në shkelje të kushtetutës. Shkojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe fitojmë çështjet, por mazhoranca refuzon me votë në Parlament të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Për ilustrim, për mandatin e një personi shumë pranë Edi Ramës, znj. Olta Xhaçka, që është ish-ministre e jashtme, mazhoranca refuzoi të zbatojë vendimin e GJK dy herë. Nga ana tjetër, liderat e opozitës janë në izolim, duke penguar ushtrimin prej tyre të të drejtave politike, edhe pse nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë që ti ketë shpallur ata fajtor. Nëse nga gjykata ata shpallen të pafajshëm, kush e mban përgjegjësinë për izolimin e lidershipit të opozitës vetëm 6 muaj para zgjedhjeve. Ne e mbështesim drejtësinë, por ajo duhet të jetë e pavarur dhe që veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin”,-deklaroi Bardhi.
“Zbulimet e fundit nga autoritetet belge e franceze me përgjimet e Sky/EncroChat, ekspozojnë në mënyrë alarmante lidhjet e drejtpërdrejta midis organizatave të krimit të organizuar me drejtuesit e maxhorancës dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe dëshmojnë ndikimin e organizatave kriminale në caktimin e njerëzve të tyre si deputetë apo anëtarë të Qeversisë, si dhe për të ndikuar dhe manipuluar zgjedhjet në favor të Partisë Socialiste. Organizatat kriminale përdoren për të blerë vota, për të frikësuar votuesit dhe për të manipuluar sistematikisht zgjedhjet”, u shpreh Bardhi ndër të tjera.
Deputetja Jorida Tabaku theksoi se Komiteti i Stabilizim-Asociimit do të ndihmojë opozitën të bëjë punën e saj më mirë për të monitoruar MSA-në.