Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka nisur fjalimin e tij “të rëndësishëm”, për të cilin mediat serbe thanë një ditë më parë se do të shpallë veriun e Kosovës “tokë të pushtuar”.
Lideri serb e nisi fjalën e tij me deklaratën se Serbia në ditët e sotme është në një situatë aspak të lehtë, duke shtuar se Kosova dhe Metohija është fjala më e dashur për çdo serb.
“Askush nuk do të jetë i kënaqur kurrë, çfarëdo që të propozonim, të gjithë do të ishin kundër. Ata që thërrasin për armë ditën e parë i thërrasim të mos e rregullojnë shtratin në kazermë, do të thoshin se është e vështirë. Ata që thërrasin për pavarësinë e Kosovës do të thosha se jeni tradhtarë. Masat që kemi marrë nuk janë të lehta, kërkojnë përpjekje, punë, përballje me rezistencë. Shqiptarët panë dritën në fund të tunelit kur filluan goditjet. Ata prisnin momentin e tyre, ne nuk kuptonim gjithçka që po ndodhte në botë dhe për këtë paguam një çmim të lartë. Paguam një çmim tragjik”, tha Vuçiç.
Sipas dokumentit, Beogradi do të nisë, “fushatë globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesat e saj për veriun e Kosovës.
Shtatë kërkesat e Serbisë
- shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe me mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.
- kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre gjyqësore.
- tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga “bazat dhe pikat e kontrollit të ndërtuara në mënyrë të paligjshme” në veriun e Kosovës.
- tërheqjen e Policisë nga të gjitha institucionet “të cilat nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme në vitin 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative për qytetarët”.
- formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
- zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës, dhe
- kryerjen e pagesave me shërbimeve postare me valutën serbë, dinarë.
Përveç këtyre kërkesave, në dokument përmendet se Kuvendi i Serbisë do të miratojë një ligj brenda 45 ditëve për të “shpallur krahinën autonome të Kosovës dhe Metohisë si një zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, duke garantuar kështu të drejtën për mbështetje financiare për të papunët”.
Mes tjerash përmendet që “institucionet serbe” në Kosovë “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe akuzohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, se “qëllimi i tij kryesor politik është të largojë dhe të eliminojë plotësisht serbët” në Kosovë.
Aty, gjithashtu, është paralajmëruar që në Rudnicë dhe Ribar pranë kufirit me Kosovën, do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale dhe që ato do të ofrojnë shërbime vitale shtetërore dhe administrative për qytetarët.