Gjatë seancës maratonë të kësaj të enjte 65 deputetë të maxhorancës treguan unitet në abstenimin e tyre, duke rrëzuar për herë të tretë kërkesën për dërgimin në Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës.
Për këtë çështje, ka reaguar kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Sipas saj, votimi i socialistëve demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysmë më parë dhe së fundmi ai i korrikut 2024, ka nevojë për sqarim.
Më tej, Spiropali shkruan “me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë.”
Reagimi i Spiropalit
Ndaj plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit. Prandaj edhe e theksova gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysëm më parë dhe së fundmi ai i korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh. Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë.