Më 9 shtator nis viti i ri shkollor për arsimin fillor, 9-vjeçar dhe parauniveristar. Para nisjes së vitit të ri shkollë, janë shpërndarë librat falas për nxënësit.
Për këtë, kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale duke ia dhënë të gjithë meritën qeverisë, duke thënë se librat falas po merren vetëm falë financimit të qeverisë me një mbështetje direkte për familjet.
“Mirëmëngjes dhe me mirënjohjen e prindërve dhe gëzimin e fëmijëve që këto ditë të fundit para fillimit të vitit të ri shkollor po marrin librat falas, falë financimit të qeverisë me një mbështetje direkte për familjet, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Këtë vit, mbi 238 mijë nxënës përfitojnë libra falas, falë një buxheti prej mbi 9 milion dollarë të akorduar nga Qeveria.
Librat falas i përfitojnë rreth 227 mijë nxënës nga klasa I deri në klasën IX dhe rreth 12500 nxënës nga klasa e dhjetë deri në klasën e dymbëdhjetë që i përkasin kategorive të caktuara të cilët përfitojnë mbështetje për tekstet falas.
Ky program i mbështetjes së librave falas është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe dhe ata nga pakicat dhe minoritetet.