Qeveria britanike po u bën thirrje kompanive të teknologjisë që të ndihmojnë në trajtimin e shkallës së lartë të vjedhjes së telefonave inteligjentë. Ekspertët fajësojë lulëzimin e tregut të zi të telefonave për shtimin e grabitjes së telefonave nëpër rrugët e qyteteve angleze.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë policinë londineze që ndjek një hajdut që ka vjedhur 24 telefona celular gjatë orëve të mëngjesit, që më pas u dënua me dy vjet burg.
Të dhënat deri në mars të vitit 2024, tregojnë se rreth 200 njerëzve në ditë u vidhen telefonat ose çantat. Vjedhja është shtuar me rreth 150% krahasuar me një vit më parë, ose rreth 78,000 viktima. Nez është një prej viktimave.
“Po shkoja drejt stacionit të autobusit dhe muzika që dëgjoja në kufje u ndërpre. E kuptova që më kishin vjedhur telefonin”, tregon ai.
Në këtë video shihet një hajdut që e ndjek nga pas viktimën dhe i vjedh telefonin pa u ndjerë. Por një polic i fshehtë e kap hajdutin në lagjen e famshme Soho të Londrës.
Sipas qeverisë britanike, rritja e kërkesës brenda dhe jashtë vendit për telefona të përdorur po i nxit vjedhjet. Ben Wood është analist me firmën “CCS Insight”.
“Po shohim sfida të mëdha në treg sepse është shtuar kërkesa për telefonat e përdorur. Veçanërisht për produktet si Iphone ose modelet e fundit të Samsungut, që kushtojnë shumë kur janë të rinj por e ruajnë vlerën”.
Qeveria britanike është zotuar se do ta godasë krimin duke vënë në objektiv hajdutët e telefonave dhe tregjet që ata përdorin. Qeveria ka në plan të organizojë një takim me kompanitë e teknologjisë dhe prodhuesit për të diskutuar mënyra për parandalimin e vjedhjes së telefonave inteligjentë, shkruan VOA.
“Është një sfidë e vazhdueshme për kompanitë kur kemi të bëjmë me vjedhjet. Por sfida më e madhe është t’i detyrosh njerëzit që të përdorin veçoritë mbrojtëse që ofron telefoni si njëjtësimi me fytyrën, shenjat e gishtërinjve apo kode të vështira për hapjen e telefonave inteligjentë. Këto janë mënyrat më të thjeshta për mbrojtjen e telefonit. Por ka edhe aplikacione që tregojnë vendndodhjen e telefonit dhe të mundësojnë ta bllokosh përdorimin e telefonit të vjedhur”, thotë zoti Wood.
Ai thotë se bllokimi në shkallë botërore i përdorimit të një pajisje të vjedhur, çka do të kërkonte shumë vite të arrihej, do t’i jepte fund vjedhjes së telefonave inteligjentë.