Dy persona janë nën hetim pasi tentuan të fusnin në vend bizhuteri floriri nga Porti i Durrësit, që nuk i kishin deklaruar.
Policia ka identifikuar pritësin e sendeve me vlerë, dhe vijon intensivisht punën për kapjen e tij. Sekuestrohen një sasi bizhuterish floriri dhe argjendi, 2 celularë dhe 2 pasaporta.
Në bazë të analizës së riskut dhe si rezultat i përdorimit të metodave bashkëkohore të kontrollit, që po kryhen në zbatim të planit operacional të përbashkët të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe Ambasadës së Mbretërisë të Bashkuar në Tiranë, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës goditën në hyrje të Republikës së Shqipërisë, një rast të tentativës për të futur në Shqipëri, pa deklaruar, sende me vlerë.
Nga kontrollet në vijë të dytë, në autobusin që kishte drejtues të parë dhe të dytë, përkatësisht shtetasit E. N., 34 vjeç dhe F. R., 37 vjeç, u gjet një sasi bizhuterish floriri dhe argjendi, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për të dy këta shtetas, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Në vijim, si rezultat i hetimeve u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi M. T., 59 vjeç, i cili dyshohet se do të priste bizhuteritë në Shqipëri. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.