Kryetari i Komisionit Anti-korrupsion Fatmir Xhafaj, ka mbajtur fjalën në Kongresin e PS-së, teksa tha se puna e komisionit që drejton nuk cënon reformën në drejtësi.
Sipas tij përmes mirëqeverisjes, anti-korrupsionit dhe sundimit të ligjit do të synohet anëtarësimi në vitin 2030 të Shqipërisë në BE.
“E gjithë kjo do të realizohet përmes një procesi gjithëpërfshirës, transparent, profesional dhe në standardet më të mira ndërkombëtare ku do të angazhohen edhe 60-70 ekspertë të pavarur vendas e ndërkombëtarë, me mbështetjen e mbi 100 eskpertëve të angazhuar nga institucionet e pavarur dhe në një proces konsultimi të gjerë debatesh e forumesh publike me institucionet qendrore e vendore si dhe drejtpërdrejt me qytetarët. Na takoi përsëri ne ta bënim këtë betejë sepse ne besojmë në atë që themi. Na takon ne ta bëjmë përsëri edhe me shtrirjen e dorës ndaj kundërshtarëve, paçka se ata mbajnë mbi të topin e baltës për ne.
Unë e di që kur thuhet shumë herë një gënjeshtër edhe ai që e di të vërtetën fillon ta besojë atë. Ndaj dua ta ndaj njëherë e mirë këtë. Reforma e re nuk cënon asgjë nga Reforma në Drejtësi dhe kushdo që e shpërndan këtë tymnajë është i friguar nga të dyja. Nëse për reformën në drejtësi, institucionet e drejtësisë ishin objekt reformimi me reformën e re institucionet e reja të drejtësisë janë partnerë të këtij procesi reformimi në respekt të plotë të ndarjes dhe balancës së pushteteve”, tha Xhafaj.
Një ndër arritjet më të mëdha të PS-së, Xhafaj cilëson reformën në drejtësi.
“Ishte PS ajo që ideoi udhëhoqi dhe organizoi reformën më të madhe shtetndërtuese, reformën në drejtësi, e cila më të drejtë quhet reforma më e thellë historike në këto vite tranzicioni. Edhe ajo kaloi me një fortune. Sot jemi koshient që reforma në drejtësi e futi vendin përfundimisht në shtratin e një shoqërie demokratike të shtetit të së drejtës, pasi garantoi në realitet parimin kyç të demokracisë dhe mirëqeverisjes, pavarësinë e tre pushteteve përmes mekanizmave të fortë kushtetues si garanci për ndarjen dhe balancën mes tyre. Ky projekt nuk u ndërtua as në një muaj dhe as në një vit, as u importua dhe as u dhurua, kush mendon ndryshe gabon, nuk e njeh historinë. Ajo u punua nga ne PS dhe mori jetë vit pas viti, e hap pas hapi, fale nesh Partisë socialiste të Shqipërisë”, tha Xhafaj.