Një efektiv policie është vrarë në Lloznicë të Serbisë mëngjesin e sotëm, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur gjatë një përplasje me armë.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila u bën thirrje emigrantëve të Kosovës që të shmangin lëvizjen përmes territorit serb.
“Të dashur qytetarë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.