Një gjykatë në Prishtinë e dënoi të premten një shqiptarë me shtetësi serbe me 15 vjet heqje lirie, nën akuzat për krime lufte kundër popullsisë shqiptare në pranverën e vitit 1999.
Gjykata tha se Muhamet Alidemaj, “me dashje dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkeli rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre”.
Sipas akuzës, ai mori pjesë në masakrën e 28 marsit të vitit 1999 në fshatin Izbicë të komunës së Skenderajt, në Kosovën qendrore në të cilën u vranë mbi 130 veta.
Trupat e të vrarëve, që ishin varrosur nga të mbijetuarit, ishin zhvarrosur më pas nga forcat serbe dhe ishin shpërndarë në vende të ndryshme në Kosovë dhe në Serbi, për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.
Edhe më tej nuk janë gjetur trupat e të paktën 6 prej të vrarëve në fshatin Izbicë.
I dënuari ishte arrestuar në mars të vitit 2021, ndërsa akuza ndaj tij u ngrit në mars të vitit 2022.
Ai i ka mohuar akuzat.
Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 24 vjet më pas nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave./VOA