Është prezantuar sot plani i Motivimit të Administratës Publike, pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE.
I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama teksa përgëzoi administratën publike për punën e saj, u shpreh se ata kanë bërë një punë të suksesshme, ku është ndërthurur eksperienca me energjitë e reja.
Kreu i qeverisë ka folur edhe për modernizimin e administratës publike, ku thotë se fleksibiliteti në punë është tepër i nevojshëm dhe duhet të konsiderohet normal.
Kryeministri tha se administrata publike nuk është një çerdhe ku njerëzit punojnë për të vjedhur, ashtu siç konsiderohet nga disa.
Rama: Nëse unë vet nuk do të isha i penguar psikologjikisht që ta vlerësoja administratën tonë publikisht. Megjithëse e dija që administrata jonë ka plot të meta dhe boshllëqe për të mbushur. Çerdhja ku janë mbledhur gjithë djajtë dhe ndodhnin gjëra të këqija. Por qysh nga momenti kur kam parë dhe kam përjetuar me një krenari të jashtëzakonshme sesi një përfaqësi e kësaj administratë e ka përfaqësuar Shqipërinë, në procesin screeming, se kam fare problem se çfarë do që të thotë kush, sepse vërteta është se ne kemi në administratën tonë një aset të jashtëzakonshëm kombëtar.
Ky aset është shumatorja juaj dhe e shumë të tjerëve si ju. Nuk është aspak penguese si mua që ta shohë dhe ta vlerësojë punën tuaj si një kontribut të rëndësishëm kombëtar për shkak të rasteve të korrupsionit dhe keq bërjes. Besoj se fakti që po ekspozohen dhe po trajtohen është shumë inkurajues.
Është fakti që sikundër ju e patë dhe sikundër shpresoj ta shohin edhe kolegët tuaj, nisma ka një element thelbësor në të gjithë mënyrën si është projektuar që është pjesëmarrja e vetë juve në përmirësimin e të gjithë atyre elementëve që përbëjnë jetën e përditshme në punë. Sa më shumë të përmirësohen aq më shumë secili mund të presë nga vetja dhe të gjithë së bashku mund të presim nga puna jonë.
Janë gjera të vogla, por ja që ka jo vetëm vend për tu përmirësuar por pikërisht sepse nuk është ndjekur më parë një praktike e tillë, shefave u duket e vogël, e kanë të vështirë ta kuptojnë që ai numërimi i orës 8 të mos kthehet në një akt formal të gjoja disiplinës. Dikur kam bërë debat me një koleg, isha ministër. Ai e kishte fiksim ti kapte punonjësit tek dera në orën 08:01.
Sipas meje gjëja kryesore ishte të ndjerit e punonjësve, të stafit të ministrisë dhe pastaj bashkisë si pjesë e një pune të përbashkët, se të gjithë kalojmë çdo ditë në të njëjtën çati dhe jo si pjesë e një rutine, me një disiplinë formale që ta heq qejfin e ditës së punës që në momentin kur të numërojnë tek dera dhe të tregojnë orën a thua se në 08:01 minuta do niset raketa për në hënë dhe po nuk u nis do dështojë misioni.