Kryeministri në detyrë në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, zhvilloi këtë të premte një bisedë telefonike me gazetarin Besard Jacaj në Klan News. Ai shpjegoi se rezultati i zgjedhjeve të 8 Majit ka ardhur si pasojë e fushatës nacionaliste të zhvilluar nga opozita e Maqedonisë.
“Fushata e ashpër nacionaliste normal që ka bërë të veten, duke pasur parasysh ndryshimet dhe reformat që janë bërë në periudhën paraprake, ku në fakt kanë shkuar në dëm të LSDM-së çfarë e ka shfrytëzuar opozita e VMRO-DPMNE”, tha ai.
I pyetur nëse BDI përjashton çdo mundësi për kabinetin qeveritar me VMRO-DPMNE, Xhaferi tha se kjo i përket vendimeve të partisë e cila tani për tani nuk është marrë ende. Megjithatë, ai theksoi se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk përjashton asnjë mundësi.
“Ne nuk përjashtojmë asnjë mundësi, çështja e relacioneve është çështje e vendimeve të organeve partiake që unë nuk mund ta them në këtë moment për faktin që ende nuk janë përcaktuar qëndrimet e prera përfundimtare për çështjen e rrjedhjes së bisedimeve të mundshme nga e hëna e më tej. Për atë çështje duhet të presim”.
Një nga vijat e kuqe është qëndrimi pro Europës, tha Xhaferi. Ndryshe mendon për pjesën tjetër që thotë se deklaratat e tyre shkojnë në drejtim të bllokimit të rrugëve euroatlantike të RMV-së.
“Fjalori që është përdorur në fushatë, përcaktimet dhe qëndrimet që dalin pas zgjedhjeve shkojnë në kahje të bllokimit të rrugëve euroatlantike të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Sa i përket humbjes së Pendarovskit dhe fajësimit të shqiptarëve që hodhën 2 kandidatë në raundin e parë, Xhaferi tha se kjo nuk ka lidhje me raundin e dytë.
“S’ka lidhje pjesëmarrja e shqiptarëve në raundin e parë në rezultatin përfundimtar të 8 Majit për kryetarin e shtetit”, tha ai.
Xhaferi tha se tentativat për të baltosur figurën e Ali Ahmetit dhe rolin e UÇK-së në vitin 2001 nuk janë risi në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, sipas tij rezultati i zgjedhjeve flet qartë për mbështetjen në drejtim të Ahmetit.