Sulmet se PS po tenton të kapë SPAK, kryeministri Edi Rama i cilësoi si akuza për të goditur qeverinë nga kundërshtarët politikë, të cilët siç tha ai nuk e mundon dot me votë. Këto akuza, shtoi Rama artikulohen nga Sali Berisha që ndodhet në arrest shtëpie nën akuzë për korrupsion për aferën Partizani.
“Unë s’ju vë faj për asgjë nga këto që thonë se po të ishin në vendin tim, do të bënin gjërat për të cilat më akuzojnë dhe akuzojnë ne. Siç i kanë bërë ata që kur ishin në vendin tim dhe pozicionin tonë, shkelin me këmbë këto, fusnin duart kudo. Ja ku janë sot, gazi i botës me gojën çapraz kundër korrupsionit dhe me çaprazin në bigën e drejtësisë për korrupsionin.
Dy fjalë për përgjegjësinë morale; në vendet e zhvilluara ndodh që titullarët dorëhiqen edhe kur nuk janë përgjegjës. Morali; kush e ka radhën për t’u dorëhequr. Zyrtarët e lartë janë të gjithë sistemi ekzekutiv që ne drejtojmë. Kërkesat e një minorance ulëritëse për koka turku janë pa themel moral dhe themel logjik në funksion të luftës kundër korrupsionit, që nuk bën hapa para por pas.
Por në demokraci të strukturuara ka një strukturë që i kryen 90% të punëve të shtetit. Belgjika qëndroi më shumë se 1 vit pa qeveri, njerëzit thoshin se shteti punoka edhe më mirë pa qeveri. Këtë makineri jemi duke e ndërtuar ne prej 10 vitesh. Përgjegjësia morale predikohet nga njerëz të akuzuar dhe të izoluar në ballkone për korrupsion… apo të kudondodhur nëpër kanale dhe portale. Synohet krijimi i një diabolizmi mekanik për të goditur një shumicë qeverisëse që nuk e mundin dot ndryshe me votë. Një kokë këtu një kokë atje bam e bum, morali kush e ka radhën për t’u dorëhequr. Shtet bërja nuk është ushtrim i lehtë për t’u udhëhequr”,-tha Rama.