Serbia ka reaguar lidhur me videon që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka publikuar ditën e sotme, ku thotë se tregohen ushtarët e Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën.
Nemanja Staroviç, Sekretar Shteti i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, pretendon se ky është një “pushtim imagjinar” dhe Kurti po mbulon ngacmimet ndaj serbëve të Kosovës.
Staroviç thotë se ishin patrullime të rregullta të ushtrisë serbe përgjatë kufirit në koordinim të ngushtë me KFOR-in.
“Alarmimi i pabazë i shërben shumë mirë qëllimit të Kurtit, pasi shpërqendron vëmendjen nga vuajtjet e popullit serb nën grushtin e tij të hekurt dhe e përshkruan Kosovën si viktimë të ndonjë ‘pushtimi’ të imagjinuar që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë.
Për të përsëritur edhe një herë, me zë të lartë dhe qartë, forcat e armatosura serbe nuk kanë hyrë kurrë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe nuk do të hyjnë kurrë, derisa të lejohen nga KFOR-i, siç parashikohet në rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Pyetja e duhur për të bërë do të ishte se çfarë po bëjnë njësitet e militarizuara mono-etnike shqiptare të policisë së Kosovës në veri të Kosovës, pasi vendosja e tyre e përhershme në zonë shkel Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, Marrëveshjen e Brukselit dhe shumë marrëveshje të tjera.
Kjo video e veçantë e shpërndarë nga Kurti në fakt përfaqëson një patrullë të rregullt të kryer nga forcat tona përgjatë kufirit administrativ, të koordinuar ngushtë me KFOR-in, siç ndodh gjithmonë”, shkruan Staroviç në platformën X, ish-Twitter.