Furrat dhe pastiçeritë do të paguajnë tarifa të reja të energjisë elektrike në bazë të konsumit që kryejnë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi se ky vendim është dakordësuar së bashku me grupet e interesit.
“Kjo është diçka që duhet saktësuar sepse furrat e bukës konsumojnë rreth 66 milionë kilovatorë në vit. Është një nga konsumatorët më të rëndësishëm që ne kemi të lidhur në sistemin tonë dhe nga ana tjetër ka qenë gjithmonë një debat i hapur pa një zgjidhje permanente që sigurisht do të akomodonte edhe nevojën e shoqatës tuaj, por nga ana tjetër nuk do të dëmtohej edhe OSHEE-ja,” deklaroi ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Në bazë të shërbimit që ofrojnë, bizneset e furrave të bukës por dhe pastiçeritë do të paguajnë tarifa nga 7.6 lekë/kWh deri në 12 lekë/kWh.
“Kemi bërë një lloj tipologjie që besoj dhe me Shoqatën e furrave të bukës kemi gjetur dakordësinë. Sot ne vijmë me një propozim që ka 3 çmime. Ka një çmim që është 7.6 lekë për kilovatorë që është vetëm për ato subjekte që kanë vetëm furrë buke, asgjë tjetër. Kemi një çmim 9.5 lekë që është për ato ambiente që kanë furra buke por që kanë dhe aktivitete pak më të integruara siç mund të jetë shitja e pastiçerisë apo dhe e produkteve të tjera të brumrave. Dhe kemi një çmim tjetër që është 12 lekë që është për ato ambiente që janë më të zgjeruara që kanë të përfshirë bar dhe kafe,” shprehet Enea Karakaçi, administrator i OSHEE.
Teksa ndër vite kanë kundërshtuar çmimet e paguara, Kryetari i shoqatës së furrave të bukës deklaroi se bizneset janë dakord me vendimin e ri.
Janë rreth 4 mijë furra buke në vend që e paguajnë energjinë elektrike me çmim preferencial prej 7.6 lekë/kWh.