900 persona janë proceduar gjatë një viti për krime ndaj mjedisit.
Të dhënat zyrtare të siguruar nga Tv Klan, tregojnë se 70 autorë janë arrestuar ndërsa të tjerët janë proceduar në gjendje të lirë.
Të arrestuarit akuzohen për krimet që kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit, apo të ujërave ku dënimi arrin deri në 10 vite.
Po ashtu, peshkimi i ndaluar dhe prerja e pyjeve që dënohet deri në 2 vite burg. Të dhënat e policisë tregojnë se në rang vendi janë 770 vepra penale në fushën e krimeve mjedisore.
Rreziku nga ndotja e pakthyeshme mjedisore ka bërë që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të propozojë masa shtrënguese për të gjitha subjektet e pajisura me leje të tilla.
Në një projektligj të hedhur për konsultim publik parashikohet që ndaj shkelësve të ketë kundërvajtjeve administrative në masën 30%, të vlerës së përcaktuara në legjislacionin në fuqi për lejet e mjedisit.
Më tej sanksionet vijojnë me heqjen e së drejtës së zotëruesit të lejes, për t’u pajisur me leje mjedisore për një periudhë 50-vjeçare, si dhe për shfuqizimin e çdo leje tjetër mjedisore të vlefshme të të njëjtit zotërues.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka evidentuar një listë me 1274 subjekte të cilët nuk kanë zbatuar parashikimet e sipërcituara.