Geraldina dhe Xhesika janë dy nëna të reja që kanë sjellë në jetë bebet e tyre me 29 Shkurt në një datë të veçantë.
Geraldina thotë se ndihet e bekuar që vajza e saj ka lindur me 29 Shkurt dhe tregon edhe kuptimin e emrit.
“Ndihem shumë mirë. Mendoj që është ditë e veçantë dhe ndihem e bekuar që ka ardhur në këtë datë. Edhe pse do të festohet njëherë në katër vite, ne do ja festojmë çdo vit, por ditën 29 do ja festojmë edhe më shumë. Rayli do të thotë rreze drite. Është në gjuhën e huaj dhe kjo ka domethënie, normal rrezja dritës e mamit, si mund të jetë ndryshe.”
Ndërsa për Xhesikën ardhja në jetë e Diorit në këtë datë ishte suprizuese.
“Ndihem e surprizuar sepse në datën 29 nuk prisja që do të linddte se thashë njëherë në 4 vjet do bëjë ditëlindje. Por nga njëra anë është viti i brishtë dhe njëherë në katër vjet e festojmë vitet e tjera në 1 Mars nuk është problem fare.”
“Me thënë të drejtën ishte surprizë, por e zgjodhi vetë si datë dhe ja ku jemi këtu tani. Vendosën për emrin, mami me babin sigurisht. Po të ishte çun Omar, po të ishte gocë kishim menduar një emër tjetër.”
Vetëm në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë u regjistruan 12 lindje në ditën e fundit të Shkurtit, 7 djem dhe 5 vajza.
“Ne patëm 12 lindje në 24 orë të cilat shumica ishin lindje natyrale. 7 lindje natyrale. Nuk kishim planifikuar asnjë lindje me operacion. Bëmë 5 operacione nga këto 12 lindje të cilat ishin vetëm urgjenca. Gratë duan të lindin jo në datën 29 Shkurt që ta festojnë ditëlindjen e fëmijës njëherë në 4 vjet, preferojnë ditët normale të tjera. Ky ishte shkaku që ne nuk planifikuam asnjë lindje me operacion dje, vetëm ato që erdhën urgjencë.”
Ndërsa në maternitetin “Koço Gliozheni” u regjistrua vetëm një lindje, një bebe djalë ditën e Enjte.
Duke qenë se Shkurti ka 29 ditë 1 herë në 4 vite, referuar të dhënave Zyrtare nga Gjendja Civile me 29 Shkurt të vitit 2020 lindën 88 bebe, prej të cilëve 49 djem dhe 39 vajza./tvklan