Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, është nisur me një mision të ri për në Lindjen e Mesme. Synimi i tij është që të kontribuojë në negociatat për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, në këmbim të lirimit të pengjeve.
Ky është udhëtimi i tij i pestë në rajon, që nga nisja e luftës pas 7 tetorit të kaluar. Gjithashtu vjen në një situatë tepër të tensionuar në Lindjen e Mesme, me përplasjen e armatosur amerikane kundër grupeve të mbështetura nga Irani në Irak, Siri dhe Jemen.
Blinken pritet të vizitojë Arabinë Saudite, Katarin, Egjiptin, Izraelin dhe Bregun Perëndimor. Më herët, sekretari amerikan i shtetit u takua me ministrin e jashtëm britanik David Cameron, me të cilin diskutoi për gjetjen e një mënyrë për lirimin e të gjitha pengjeve izraelite që mbahen nga Hamas.