Trupi i pajetë i Arben Lleshit i cili u vra brenda burgut të Peqinit nga Sokol Mjacaj nuk është tërhequr nga familjarët për të kryer ceremoninë mortore, për shkak të frikës së hakmarrjes.
Në këtë situatë Instituti i Mjekësisë Ligjore i ka kërkuar Prokurorisë së Elbasanit leje për të kryer varrimin. Burime për gazetaren Klodiana Lala dhe News 24 kanë deklaruar se prokuroria do ta miratojë lejen dhe më pas është drejtoria përkatëse pranë Bashkisë që kryen varrimin e Arben Lleshit. Arben Lleshi u qëllua për vdekje brenda burgut nga Sokol Mjacaj një tjetër i dënuar me burg përjetë.
Viktima Arben Lleshi ishte dënuar përjetësisht për vrasjen dhe më pas djegien e Agim Hoxhës në Britaninë e Madhe në 2012. Pas kësaj ngjarje, familja Lleshi humbi dhe 4 pjesëtarë. Dy xhaxhallarët e Arben Lleshit, Xhavit e Hajredin Lleshi u ekzekutuan përkatësisht në 2013 dhe 2016. Ndërsa u zhdukën dy djemtë e xhaxhallarëve të tij, Artan e Klevis Lleshi, fati i të cilëve edhe sot nuk dihet.