Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë me gazetarët, ku është pyetur lidhur me rikthimin e tij në daljet publike.
I pyetur nga gazetarët se pse ka zgjedhur të dalë publikisht vetëm pas arrestimit të Berishës, Basha u shpreh se nuk i lidh dy ngjarjet së bashku.
Ai ka thënë se gjatë muajve të fundit në PD është punuar për strukturimin e Partisë Demokratike.
Sipas tij demokratët ishin në një telenovelë ku aktor, regjisor dhe teleshikues ishin vetë politikanët e opozitës, ndërsa theksoi se grupimi i tij nuk ishte pjesë e kësaj të fundit.
“Nuk do t’i lidhja dy ngjarjet me njëra tjetrën, ne kemi punuar për strukturimin e Partisë Demokratik. Personalisht kam qenë në 250 takime anë e mbanë gjithë Shqipërisë për të lidhur telat e këputur nga PD me hallet e njerëzve dhe njerëzit.
Ishim në një telenovelë ku aktor, regjisor dhe teleshikues ishin vetë politikanët e opozitës. Këto muaj kanë shërbyer që PD të merret me organizimin e saj dhe të ngrejë themelet sërish për të nisur procesin për krijimin e ofertës tonë për qytetarët.
PD dhe unë kam qenë në aktivitet të plotë, por nuk isha pjesë e telenovelës ku kush tallet më shumë për të krijuar mjegull për t’u fshehur pas saj.
Ka 2 vjet që Edi Rama sheh telenovelë falas, edhe në NETFLIX ndryshon telenovela pas dy vitesh. Ne refuzojmë të jemi pjesë e kësaj telenovele. U bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të mos e ndjekin më këtë telenovelë”, tha Basha./Opinion.al