Një skenë e paprecedentë është regjistruar në një gjykatë në Las Vegas, ku një i sapo dënuar me burg “fluturoi” mbi karrigen e gjyqtares, e cila i mohoi lirimin me kusht, për ta masakruar me grushte e shkelma.
Gjyqtarja Mary Kay Holthus nga Gjykata e Qarkut Clark ishte në mes të shpalljes së dënimit kur i dënuari Deobra Delone Redden e sulmoi fizikisht.
Video e filmuar në sallën e gjyqit tregon momentin kur Redden shkëputet nga vendi i tij dhe hidhet mbi karrigen e gjyqtares, për ta goditur dhe fyer me fjalë të pista atë.
Marshalli që ruante gjyqtaren u përpoq të shmangnte sulmin, por Redden u hodh mbi të dy dhe filloi të rrihte brutalisht Holthus.
Nga audio dëgjohen grushtet e tij që bien vazhdimisht mbi gjyqtaren Holthus, ndërsa nuk ndal as fyerjet me tone të larta.
Oficerët e sigurisë përpiqen të frenojnë të dënuarin, ndërsa gjyqtarja dëgjohet teksa i lutet atij të largohet prej saj.
Sipas mjekëve Holthus ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e sulmit dhe gjendja e saj po monitorohet. Edhe Marshalli që e mbronte atë u plagos dhe u desh të transportohej në spital pas sulmit brutal.
“Ne përgëzojmë aktet heroike të stafit të saj, të zbatimit të ligjit dhe të gjithë të tjerëve që nënshtruan të pandehurin. Ne po rishikojmë të gjitha protokollet tona dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur gjyqësorin, publikun dhe punonjësit tanë”, tha Gjykata e Qarkut në Las Vegas në një deklaratë për Channel 13.
Sa i përket të dënuarit, Redden ka një histori kriminale që përfshin akuza në Nevada dhe Teksas për grabitje, sulm apo plagosje në pronë.