Mbi 40 kopshte në të gjithë vendin kanë rezultuar të palicencuar nga Ministria e Arsimit, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia e Shtetit pas rastit të dhunimit të 3-vjeçares në kopshtin jo publik “Stinët”, denoncuar në emisionin Stop në Tv Klan.
Ishte pikërisht ky kopsht që nxorri në pah se ende ka subjekte të cilat ushtrojnë aktivitetit pa licencën përkatëse.
Tv Klan mëson se Tirana është qyteti më problematik, me 37 kopshte të palicencuara, për pronarët e të cilëve sektori krimit ekonomiko financiar ka referuar materialet për “Mashtrim”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Pas kryeqytetit, vjen qarku i Durrësit me 4 kopshte të palicencuara, Lezha me 3 dhe Gjirokastra me 1.
Krahas hetimit në gjendje të lirë për pronarët e këtyre subjekeve, burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se veprime hetimore po kryehen dhe për institucionet përkatëse të cilat kanë kompentencë kontrollin e tyre.
Ky operacion vjen në një kohë kur dhe Ministria e Arsimit njoftoi ngritjen e Task-Forcës për evidentimin dhe ndëshkimin e kopshteve që ushtrojnë aktivitet pa licencën përkatëse.