Rrugët brenda Tiranës do të monitorohen vazhdimisht me radarë për të ndëshkuar shoferët që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar në qytet.
Policia Rrugore e Tiranës në një njoftim për mediat bën me dije se patrullat civile në kryeqytet janë të pajisura me radarë për të regjistruar çdo tejkalim shpejtësie.
“Me kujdesin më të madh për sigurinë e të gjithëve, ju njoftojmë se tani në rrugët e qytetit tonë patrullat civile janë të pranishme dhe të pajisura me radarë për të monitoruar dhe regjistruar çdo tejkalim të shpejtësisë.
Nuk ka më vend për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor! Autopatrullat tona civile janë sytë që nuk fiksohen, veshët që nuk mbyllen, duke garantuar zbatimin e ligjit për një udhëtim të sigurt për të gjithë.
Kujdes dhe përgjegjshmëri, kjo është mënyra si mbrojmë jetët në rrugët tona. Le të punojmë së bashku për një Tiranë më të sigurt”-shkruan policia./Opinion.al