Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, ka thënë ditën e sotme se mbështetësit e Hamasit duhet të dëbohen nga shteti, në rastet kur është e mundshme.
Ajo ka thënë se autoritetet duhet ta mbajnë një sy hapur për kërcënimet e mundshme që i kanosen Gjermanisë, pas sulmeve të grupit militant palestinez në Izrael.
“Nëse mund t’i dëbojmë mbështetësit e Hamasit, duhet të veprojmë ashtu”, ka thënë Faeser, pas diskutimeve që ka pasur me Zyrën Federale të Policisë gjermane.
“Autoritetet tona të sigurisë e kanë rritur fokusin në skenën islamiste”, shtoi ajo, duke e përmendur një sulm që ka ndodhur së fundi në Bruksel, si sinjal për kërcënimet.
Shqetësimet për antisemitizmin sa shkojnë e rriten në Gjermani, sidomos pas tentimeve për të kryer një sulm në një singogë të Berlinit, dhe pas përleshjeve mes protestuesve pro-palestinezë dhe policisë, në Berlin dhe qytete tjera gjermane.
Në të njëjtën kohë, pjesëtarët e komunitetit palestinez në Gjermani, kanë thënë se zërat e tyre po heshten nga ndalesat për të mbajtur protesta. Faeser u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i alarmojnë autoritetet për çfarëdo “propagande” në mbështetje të Hamasit.
Izraeli i ka mbledhur dhjetëra mijëra ushtarë afër kufirit me Gazën, pas masakrës së 7 tetorit nga militantët e Hamasit në tokën izraelite.
Si hakmarrje, Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit dhe është zotuar se do ta shkatërrojë grupin.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se rreth 4.000 njerëz janë vrarë dhe mbi 12.500 janë plagosur nga sulmet izraelite. Nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite, më 7 tetor, janë vrarë më shumë se 1.400 njerëz./REL