Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar të hënën se Policia e Kosovës ka mandat për t’i hetuar sulmet e ndodhura në Banjskë të Zveçanit, ku humbi jetën efektivi i policisë Afrim Bunjaku.
Sa i takon Serbisë, Stano tha se e ka obligim të bashkëpunojë, pa kushte.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa është pyetur për dëshmitë e fundit të publikuara nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë sulm.
Peter Stano ka përsëritur se BE-ja është në pritje të rezultateve të plota të hetimeve, që ta ketë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur, dhe në bazë të tyre të marrin vendime vendet anëtare, përfshirë edhe ndonjë masë të mundshme ndaj Serbisë.
I pyetur rreth përgjegjësisë që e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoiçiç për sulmin, dhe a do të ndihmojë BE-ja që ai të ekstradohet në Kosovë, Stano ka thënë vetëm se blloku evropian pret “bashkëpunim të plotë, transparent dhe pa kushte nga Serbia“, në mënyrë që të sqarohet jo vetëm se kush e ka përgatitur dhe kryer sulmin terrorist, por edhe kush qëndron prapa tyre”.
“E kemi parë se çfarë ka thënë Radoiçiç. Të gjitha faktet duhet të verifikohen dhe të zbardhen. Presim bashkëpunim të plotë nga Serbia. Ne nuk e bëjmë angazhimin tonë përmes mediave, por përmes kanaleve tona“, ka thënë zëdhënësi i BE-së..
Zëdhënësi i BE-së ka deklaruar se “Ngjarja ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe hetimet i bën Policia e Kosovës. Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë me të”.
I pyetur se e ka kuptim vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në këtë situatë, pasi edhe Serbia në dhjetor mund të shkojë në zgjedhje, zëdhënësi i BE-së ka thënë se BE-ja dhe partnerët e saj e shohin pikërisht vazhdimin e dialogut si mënyrën e vetme për t’i zgjidhur problemet.
“Gjithmonë ka cikle të zgjedhjeve. Por duhet të rifillojmë dialogun, sepse është rruga e vetme për normalizim të raporteve. Prandaj bëjmë thirrje nga BE-ja dhe partnerët që palët t’i kthehen dialogut”, ka thënë Stano.