Kaos i plotë në Kuvendin e Serbisë. Përfaqësues të disa partive opozitare kanë bllokuar punën e Kuvendit duke fishkëllyer dhe ngritur pankarta.
Deputetët e opozitës filluan ta bllokojnë punën e Kuvendit, në seancën e së cilës ishte ribalancimi i buxhetit.
Pasi u miratua rendi i ditës së seancës së pestë të jashtëzakonshme të Kuvendit, disa deputetë u ngritën nga vendet e tyre dhe me fishkëllima dhe britma filluan të pengojnë punën e parlamentit dhe prezantimin e kryetares së Qeverisë së Serbisë, Ana Brnabiç, e cila kujtoi se me ribalancimin e buxhetit parashihet të fitojnë pensionistët, nënat dhe fëmijët.
“Nëse kanë sukses në bllokadë, nuk e kanë bllokuar Ana Brnabiqin dhe Sinisha Malogun, Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, nuk na kanë bllokuar asnjërin. Ata nuk duan që pensionistët të kenë rritje, sepse kjo rritje është e paraparë me këtë ribalancim. Nëse ia dalin me bllokadë, të cilën nuk duhet ta lejojmë, do të pengojnë edhe nënat e fëmijëve deri në moshën 16 vjeç të marrin ndihmë sepse e gjithë kjo parashikohet me këtë ribalancim buxhetor”, ka thënë Ana Brnabiç.
Ajo theksoi se sa më e zhurmshme të jetë opozita aq më e fortë do të luftohet, sepse nëse opozita fiton nuk do të ketë rroga dhe pensione dhe nuk do të ketë rrugë dhe gjithçka do të jetë si kur ishin në pushtet.
Kujtojmë se opozita serbe ka paralajmëruar gjatë ditës së sotme bllokimi të punës në parlament deri sa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç të tregojë datën e zgjedhjeve të parakohshme në të gjitha nivelet.