Pas mbledhjes ku morën pjesë 43 deputetë të opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se ky është një përgjegjësi që deputetët kanë marrë kundër regjimit, të cilin ai e quan thagmë të krimit, vjedhjes dhe të zezave më të mëdha që ka njohur kombi në 32 vite.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se ky grup i deputetëve ka vendosur që në Parlament t’i kallin datën dhe tmerrin Edi Ramës.
“Ky është një takim i 43 deputetëve të dalë nga një aleacë opozitare dhe që vendosin tani në Parlament t’i kallin datën dhe tmerrin Edi Ramës. Asgjë më të moralshme nuk ka se sa betejë kundër Edi Ramës që po shkreton Shqipërinë. Interesat kombëtare janë të parat për çdo opozitar dhe për çdo qytetar të këtij vendi. 620 mijë opozitarë që sot marrin frymë lirisht, sot para tyre çelet horizont i ri në betejën e vështirë kundër një regjimi që bazohet në vjedhjen e qytetarëve.
Na bashkoi përgjegjësia e lartë morale, ligjore dhe e gjithanshme që kemi para 620 mijë zgjedhësve idealistë që votuan më 14 Maj kundër Edi Ramës”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët se çfarë i pengon që të jenë në një grup parlamentar, Berisha ka anashkaluar përgjigjen duke thënë vetëm se pozitiviteti i këtij takimi do ti zgjidhë kureshtjet e çdo personi.
“E kuptoj që doni të rrëmoni por të jeni të sigurtë se pozitiviteti i këtij takimi do ti zgjidhë kureshtjet tuaja. Sot nuk ishin deputetët e Shtëpisë së Lirisë që janë opozitarë të vendosur. Thirrja ime është për çdo deputet të vendosur për të luftuar këtë regjim.
Vendimet e takimit shumë të rëndësishme do tua njoftojë Bardhi sepse u morën vendime të rëndësishme”, shtoi ai./Opinion.al