Dita e hënë dhe e martë do të karakterizohen nga një mot me vranësira të shpeshta.
Sinoptikani Hakil Osmani u shpreh gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë në Klan Neës se vranësirat do të jenë më të dukshme në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qëndrore. Ato do të krijojnë mundësi për momente të pakta me pika shiu, por këto do të jenë afatshkurtra dhe jo problematike.
Ndërsa jugu i vendit do të dominohet nga moti i qëndrueshëm.
“Dita e sotme dhe nesër për vendin tonë pritet të kenë vranësirat e shpeshta prezente. Më të dukshme do të jenë në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore duke krijuar mundësi për momente të pakta me pika shiu. Do të jenë krejt afatshkurtra, nuk do të jenë problematike. Ndërsa pjesa tjetër, jugu, pritet të jetë kryesisht në dominimin e motit të qëndrueshëm duke bërë që të ketë intervale me kthjellime dhe me kalime vranësirash”, u shpreh sinoptikani Osmani.
Dita e mërkurë pritet të sjllë një përmirësim të motit.
“Nga dita e mërkurë presim një përmirësim të dukshëm të dukshëm të kushteve të motit duke bërë që të kemi zonat bregdetare intervale të gjata me kthjellime ndërsa në zonat malore do të ketë herë pas here kalime të pakta të vranësirave që më të dukshme pritet të jenë gjatë ditës së enjtes duke krijuar mundësi për reshje të izoluara shiu në zonat juglindore, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të jetë me mot të qëndrueshëm”, tha sinoptikani.
Sinoptikani Hakil Osmani u shpreh se temperaturat do të jenë mjaft komode si për ata që duan të frekuentojnë plazhin, por edhe për ata që duan temperatura më të freskëta, dhe dëshirojnë të vizitojnë zonat malore.
“Kështu që ata që duan të shfrytëzojnë plazhin do të kenë temperatura mjaft komode, ata që duan të kenë temperatura më të freskëta do të kenë zonat malore”, tha ai.