Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka përkujtuar sot 20 vjetorin e ndarjes nga jeta të Komisar Gani Malushit, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në vitin 2003.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Balla thotë se do të bëjë gjithçka që të pastrojë brenda Policisë së Shtetit fijet e rrjedhjes tek krimi të informacioneve sensitive të punës së uniformave blu.
Ai thotë se për të kjo është një karshillëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë.
“Sot 20 vite më parë Policia e Shtetit humbi një nga oficerët e saj më të mirë, për nga përgjegjësitë e vështira që mori mbi supe dhe standardin e ndershmërisë dhe profesionalizmit që ai vendosi me punën e tij. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do t’i jenë gjithmonë mirënjohës Komisar Gani Malushit, Dëshmor i Atdheut, për gjithçka ai bëri për rivendosjen e shtetit dhe të ligjit në Tropojë, Berat, Librazhd, Krujë, Kukës etj.
Po sot 14 vite më parë, po në Durrës, ranë në krye të detyrës katër dëshmorët e Atdheut: Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, të cilëve jemi gjithashtu mirënjohës dhe do të bëjmë gjithçka që gjaku i tyre të mos tradhëtohet më kurrë nga brenda Policisë së Shtetit.
Prej ditës së parë në krye të Ministrisë së Brendshme kam kërkuar dhe do të bëj gjithçka të pastroj brenda Policisë së Shtetit fijet e rrjedhjes tek krimi të informacioneve sensitive të punës dhe aksioneve policore. Ky është për mua një karshillëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Përvecse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues, për punonjësit e Policisë në vartësinë e drejtorëve dhe shefave, që tradhëtojnë shokët dhe misionin e Policisë së Shtetit”-shkruan Balla./Opinion.al