Ministrat e Jashtëm të Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do të takohen çdo vit për të diskutuar për çështjet që lidhen me Korridorin VIII.
Gjatë këtij takimi, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka e cilësoi korridorin e VIII, një mekanizëm bashkëpunimi dhe integrimi që do të transformojë ekonominë e vendeve të përfshira.
“Investime të këtij lloji janë thelbësore për ta bërë perspektivën e BE-së të prekshme për qytetarët tanë. Shqipëria kryeson këtë vit Procesin e Berlinit dhe ne synojmë të bëjmë forcimin e ndihmës financiare të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Korridorin VIII një nga temat kryesore të Samitit. Korridori VIII është një korridor që do të na bashkojë, do të jetë edhe një korridor sigurie. Ne të gjithë e mbështesim dhe do të punojmë bashkërisht për ta avancuar atë sa më shpejt”.
Ndërsa Antonio Taiani theksoi se takimet mes këtyre shteteve duhen të bëhen më të qëndrueshme për çështjet që lidhen me Korridorin VIII.
“Kemi vendosur që takimet ndërmjet Italisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i bëjmë të qëndrueshme, takime vjetore, për çështje që lidhen me Korridorin VIII. Por, takimet nuk do të jenë vetëm në nivel politik, por edhe në formatin e forumeve të biznesit. Gjithashtu, meqë 4 vendet tona bëjnë pjesë në NATO, ne vendosëm që pas konsultimeve edhe mund të komunikojmë propozime të caktuara që kanë të bëjnë me zonën jugore të Aleancës, pjesën ballkanike të NATO-s, Mesdhetare dhe atë Adriatike”.
Ndërtimi i Korridorit VIII do të mundësojë krahas lidhjeve rajonale dhe zhvillimit ekonomik, kalimin e shpejtë të njerëzve dhe mallrave./Opinion.al