Pavarësisht përpjekjeve perëndimore për të ndrydhur ekonominë e Rusisë përmes sanksioneve pas agresionit të saj në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës vitin e kaluar, vëllimet e tregtisë ruse medhjetëra vende në fakt janë rritur që nga fillimi i luftës.
Disa vende kanë rritur vëllimet e tregtisë me Rusinë që nga pushtimi i saj në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 – përfshirë disa anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Ne shohim rritje të tregtisë me një sërë vendesh të ndryshme si India dhe Greqia, për shembull, që kanë importuar naftë të lirë ruse nën çmimet e tregut. Dhe kjo është ajo që po shkakton rritjen e tregtisë. Gjithashtu shohim vende të tjera si Turqia, për shembull, që eksportojnë shumë mallra industriale kimike dhe elektronike në Rusi për të përfituar nga boshllëqet në tregun rus të shkaktuara nga sanksionet e G7-ës, thotë Niels Graham me Këshillin e Atlantikut.
Analiza tregon se vëllimet tregtare të Kinës me Rusinë janë rritur çdo vit me një mesatare prej 23 përqind gjatë pesë viteve të fundit, duke përjashtuar ndikimin e COVID në vitin 2020 – dhe me 27 përqind që nga pushtimi i Ukrainës.
Por korrespondenti Niels Graham thotë se Pekini në fakt po tregon shenja të kufizimit që nga fillimi i sulmit rus.
“Kina sigurisht që po angazhohet me Rusinë, duke rritur tregtinë e saj në përgjithësi, por duke e bërë këtë në përputhje me vijat e kuqe të vendosura nga Perëndimi – nga frika e hakmarrjes perëndimore kundër Kinës, duke e shkëputur atë nga një treg shumë më i rëndësishëm perëndimor”.
Tregtia e Indisë me Rusinë është rritur me 250 për qind që nga viti 2021. Kina dhe India importuan vëllime rekord të naftës ruse në maj – duke kapitalizuar çmimet e zbritura pasi grupi i vendeve të pasura G7 vendosi një kufi çmimi në dhjetor.
Këshilli i Atlantikut thotë se Turqia, anëtare e NATO-s, siguron gjithashtu një mbështetje jetike për ekonominë e Rusisë – me vëllimet e tregtisë që u rritën me 93 për qind. Kjo përfshin materiale të rëndësishme si qarqet e integruara dhe gjysmëpërçuesit
“Shumë nga kjo tregëti, është tranzit mallrash – i mallrave që importohen në Turqi dhe më pas eksportohen në Rusi. Pra, Turqia është shfaqur si një qendër e evazionit të mundshëm të sanksioneve”, thotë Niel Graham.
Sipas një zyrtari të BE-së, Turqia e siguroi Bashkimin Evropian në mars se nuk do të dërgonte apo lejonte mallra tranzit për në Rusi që i nënshtrohen sanksioneve ose kontrolleve të eksportit. Ankaraja ka mohuar eksportimin e mallrave në Rusi që mund të jenë për synime ushtarake./ VOA