Kryetari Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon një konferencë për prezantimin e Raportit për zgjedhjet e 14 Majit.
Kryedemokrati Berisha është i shoqëruar në konferencë nga grupi i punës, deputeti Oerd Bylykbashi, deputetja Albana Vokshi, përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso si dhe drejtori i komunikimit, Alfred Lela, të cilët kanë marrë pjesë në përgatitjen e raportin.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se raporti bazohet në mijëra fakte, dokumente të konstatuara në të katër anët e vendit, të cilat sipas tij tregojnë se 14 maji është farsa më e shëmtuar elektorale në historinë e vendit.
“Sot ne paraqesim në vija të përgjithshme raportin e PD-së për farsën elektorale 14 maj 2023.
Ky raport bazohet në qindra dhe mijëra fakte, dokumente të konstatuara në të katër anët e vendit.
Në dhunimet e pashembullta të të drejtës së votës, në shndërrimin e zgjedhjeve në një farsë të vërtetë elektorale.
Këto që shihni ju këtu dhe të gjitha dosjet tjera janë dokumente zyrtare që dëshmojnë se Shqipëria kaloi me 14 maj farsën më të shëmtuar elektorale në historinë e saj 32-vjeçare.
Këto dokumente do të jenë pjesë e një raporti shumëvëllimësh, i cili do publikohet, me të cilin do njihen mediat, do njihen qytetarët shqiptarë, do njihen demokratët.
Por do njihen institucionet ndërkombëtare dhe qeveritë e vendeve të lira.
Do gjenden modalitetet për t’u hedhur edhe në Amazon, në mënyrë që të mund të njihet mbarë komuniteti ndërkombëtar me këtë farsë të shëmtuar zgjedhore, që ka për aktor kryesor Edi Ramën, një person të inkriminuar kokë e këmbë, i cili ka tmerr dhe ferr largimin nga pushteti për shkak të aferave të tij, mega-aferave të tij korruptive, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për shkak të mega-aferave korruptive të djegësve, të Portit të Durrësit, të Parkut të Butrintit, për shkak të mega-aferave familjare, pasurimit në mënyrë të përbindshme të anëtarëve të familjes së tij, për shkak të korruptimit që ky i ka bërë shefit të kundërzbulimit të agjencisë më të rëndësishme të zbulimit në botë, FBI, McGonigal”-tha Berisha./Opinion.al