Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, javën e kaluar zhvilloi një vizitë në Serbi, ku u takua me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe i kërkoi lirimin e tre policëve kosovarë.
Këtë të hënë përmes një postimi në rrjetet sociale, Orban shkruan se lirimi i tre policëve të Kosovës ka ardhur pas kërkesës së tij gjatë takimit.
Më tej ai thotë se ky vendim është provë e bashkëpunimit strategjik mes Hungarisë dhe Serbisë.
“Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç sapo më informoi se sipas kërkesës sime gjatë takimit tonë javën e kaluar, autoritetet serbe do të lirojnë nga paraburgimi tre policët e arrestuar të Kosovës. Ne e vlerësojmë shumë këtë hap të Presidentit Vuçiç në këtë periudhë sfidash të mëdha. Ky vendim është një provë e qartë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe angazhimit tonë të përbashkët për paqe dhe stabilitet në Ballkan”, tha Orban.
Kujtojmë që ditën e sotme, gjykata në Kralevë vendosi që të lirojë tre policët e Kosovës.