Nga Shkodra ku korri fitoren që i befasoi të gjithë, Edi Rama, nisi serinë e takimeve për të falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në 14 maj.
Pas shëtitjeve në rrugët kryesore të qytetit, Rama pati disa këshilla për kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Shkodër, Benet Becin, në një takim ku mblodhi edhe të zgjedhurit socialistë në Këshillin Bashkiak.
“Do kesh shumë presione, nga të katërta anët. Ndërhyrje, historira në emër të revolucionit që përmbysi regjimin. Nuk duhet të biesh në këto presione, nuk duhet të shohësh njerëzit si të majtë dhe të djathtë”.
Kreu i qeverisë kërkoi sa më shumë punë, duke e paralajmëruar se fitorja është më e vështirë të përsëritet.
“Nëse do të të nderojnë dhe respektojnë dhe të të mbështesin siç të mbështetën, se të përsërisësh fitoren është e vështirë, se një herë mund të fitosh. Pritshmëria është shumë e madhe, s’do të të falin”.
Pas takimit me kreun e zgjedhur të bashkisë dhe këshilltarët, Rama mblodhi qytetarët ne teatrin “Migjeni”, ku votën e dhënë për fitore e quajti një sfidë që i është bërë.
“Në radhë të parë për të bërë një falenderim nga zemra për të gjithë ata që votuan Benetin. Rezulatin e konsideroj si sfidën më të madhe”.
“Do të jetë bashkia e dyerve të hapura, ku do të pres dhe përcjell, do të diskutoj me secilin që ka një problem për ta zgjidhur këtë problem,” deklaroi Beci.
Për të treguar se vëmendja e qeverisë ndaj Shkodër do të jetë e madhe, kreu i qeverisë foli për disa nga projektet që do realizojë në këtë qytet.