Organizata Amnesty International thotë se në vitin 2022 është regjistruar numri më i lartë i ekzekutimeve gjatë 5 viteve të fundit.
Sipas të dhënave të organizatës janë kryer 883 ekzekutime në 20 vende, duke shënuar një rritje me 53% të rasteve. Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, në të dhënat e Amnesty International nuk janë përfshirë rastet e ekzekutimeve në Kinë, pasi të dhëna të tilla mbahen sekret nga Pekini.
Sipas organizatës Amnesty International, rritja më e madhe e numrit të ekzekutimeve është regjistruar në vendet e Lindjes se Mesme.
Në Iran, numri i ekzekutimeve u rrit nga 314 në 2021, në 576 në vitin 2022.
Në Arabinë Saudite, numri i ekzekutimeve u trefishua nga 65 në 2021 në 196 në vitin 2022, shifra më e lartë në 30 vitet e fundit.
Shumë prej rasteve janë për vepra penale të lidhura me drogën.
“Duhet të vëmë në dukje, se të dyja vendet, kanë vazhduar të përdorin dënimin me vdekje për të ushtuar trysni shtetërore. Për shembull, në fund të vitit në Iran, pamë që u bënë arrestime dhe u përdor dënimi me vdekje për të ndëshkuar protestuesit. Rastet e ekzekutimeve dhe vendimeve të dënimit me vdekje vazhduan edhe përgjatë vitit 2023. Veç kësaj, një karakteristikë e trishtë e dënimeve me vdekje është ndikimi jo proporcional i ekzekutimeve mbi pakicat etnike dhe pakicat fetare”, thotë Chiara Sangiorgio nga Amnesty International.
E njëjta dukuri vihet re edhe në Arabinë Saudite.
“Në fakt, në vitin 2022 u kryen 81 ekzekutime brenda një dite. Gjysma e të ekzekutuarve i përkisnin pakicës Shia në Arabinë Saudite, thotë zonja Sangiorgio.
Sipas Amnesty International, Kina mbetet vendi me numin më të madh te ekzekutimeve në botë.
“Në këtë vend kryhen mijëra ekzekutime çdo vit dhe jepen po aq vendime për dënim me vdekje. Por është e pamundur të jepn shifra për shkak se këto të dhëna mbahen sekrete. Sipas konfirmimeve zyrtare nga autoritetet kryehen dënime me vdekje për vepra që lidhen me drogën, po ashtu edhe rastet e korrupsionit ndëshkohen me dënim me vdekje. Por shifrat mbeten sekrete”, shpjegon zonja Sangiorgio.
Edhe në Korenë e Veriut dhe Vietnam rastet e dënimit me vdekje mbahen të fshehta.
Në shtetet ku janë regjistruar përpjekje për grusht shteti është shënuar një rritje e lehte e ekzekutimeve. Egjipti ekzekutoi 24 persona në vitin 022.
Mianmari po ashtu iu rikthye ekzekutimeve të dënimeve me vdekje, për herë të parë që nga vitit 1980, përfshirë ekzekutimin e aktivistit Kyaw Min Yu.
Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës numri i ekzekutimeve u rrit, nga 11 në 18.
“Për herë të dytë, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të ulët të dënimeve me vdekje gjatë viteve të fundit. Kjo tregon se prirja mbi dënimin me vdekje mes anëtarëve të jurive që gjykojnë këtë lloj dënimi ka ndryshuar”, thotë zonja Sangiorgio.
Raporti i Amnesty International i referohet ekzekutimeve në vitin 2022, por në Iran edhe gjatë 2023 numri i ekzekutimeve vazhdoi të rritet. Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara të paktën 209 persona janë ekzekutuar përgjatë këtij viti. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për ndalimin e kësaj praktike./ VOA