Gjatë një takimi me banorë të Njësisë Nr.9, kandidati i opozitës për Tiranën Belind Këlliçi tha ndër të tjera se 41 mijë biznese do të përfitojnë nga ulje taksash dhe tarifash nëse ai do të vihet në krye të bashkisë.
“Masa e parë do të jetë, zero e taksës së arsimit. E dyta, taksa për tokën bujqësore do të bëhet zero për pjesën që i takon bashkisë. Taksa e fjetjes në hotel do të reduktohet me 30%. Taksa e tabelës informuese do të reduktohet po me 30%. Taksa e truallit do të reduktohet me po 30% dhe taksa mbi ndërtesën do të reduktohet me po 30%. Këto janë të gjitha masa që ndihmojnë biznesin e vogël. Kam dhe dy tarifa që do t`i ulë me 50%. 1-tarifa e pastrim gjelbërimit. 2-Taksa më korruptive që është në kryeqytet është taksa për hapësirën publike, që çdo taksidar dhe çdo tatimor i bashkisë Tiranë e bën korrupsion, do të përgjysmohet”, u shpreh Këlliçi.
Ai tha se duke luftuar korrupsionin dhe duke rritur mbledhjen e taksave me vetëm 2% realizohen 60 milionë euro më shumë në vit.
“Sikur me vetëm 20% më shumë ta rris unë mbledhjen e taksave, do të thotë 60 milionë euro më shumë në Tiranë në vit. Do të thotë transport publik falas, do të thotë nja 25 shkolla të reja, do të thotë investime në rrugët e Tiranës, dhe janë qindra kredi të buta për çiftet që nuk ia dalin dot jetesës në Tiranë. Mbas 14 majit do të ketë luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Të gjitha taksat që do të mblidhen në kryeqytet, do të kthehen në shërbime për ju”, tha Këlliçi me banorët e Njësisë Nr.9.
Sipas Belind Këlliçit nga buxheti aktual i bashkisë, 61% shpenzohet vetëm për paga personeli dhe mobilim zyrash, qoka e festa, ndërsa u shpreh se pas 14 majit të gjitha këto do të reduktohen në mënyrë drastike.
“Një masë tjetër e rëndësishme do të jetë ulja drastike e shpenzimeve për qoka, për lluks, për paga. Bashkia e Tiranës shpenzon 61% të buxhetit, për paga personeli, për njerëz që nuk bëjnë punën e tyre por që rrijnë në Facebook që bëjnë patronazhistin apo aktivistin. I shpenzon për djeta, për mobilje, për karburant, për bileta udhëtimi, për kancelari, për mobilim zyrash, për makina me qera, për këtë shërbimin leasing që marrin dhe qoka dhe për koncerte”, u shpreh Belind Këlliçi, ndërsa foli me qytetarët edhe për punën e policisë bashkiake për të cilën tha se nuk do të jetë më një tmerr.
“Ndotja akustike është një problem që prek me mijëra qytetarë çdo ditë. Policia bashkiake nën drejtimin e Belind Këlliçit nuk do të jetë më një tmerr dhe një ferr, që të mbijnë nga ferrat policët me të gjobit qytetarin. Kështu që kjo çështje zgjidhjet nëpërmjet policisë bashkiake, duke vënë një rregull të njëjtë për të gjithë”, tha Këlliçi.