Tiranë – Prishtinë, 14 – 18 shkurt 2008
Shënimet e një Reporteri
-Nga Blendi Fevziu-
14 Shkurt!
Nëse një helikopter del në Kukës, për një orë jam aty!
Fatmir Limaj dukej i bindur dhe entuziast, si shumica e miqve të mij në Kosovë ato ditë. Ishte mesdita e së enjtes, 14 shkurt 2008. Kosova po hynte në 72 orët e fundit të pavarësisë. Kisha gjithë javën që mendoja se cili do të ishte emisioni që do t’i afrohej më shumë entuzismit të kësaj dite dhe tashmë isha shumë pranë tij. Fatmir Limaj po nisej, Lutfi Haziri qe nisur në mesditë dhe në mbrëmje, të dy do të ishin në Tiranë. Dy politikanë të rinj dhe të fuqishëm, që befas po i jepnin studios në Opinion ballancën e nevojshme të Kosovës. Mes angazhimeve dhe rrëmujës, po shkëputeshin për të qenë të pranishëm në Tiranë. Bashkë me ta edhe Batoni, që po shndrohej në star i emisioneve televizive prej ditësh, Pandeli Majko, njeriu që kishte lënë gjurmë me drejtimin e Qeverisë gjatë luftës e krizës së Kosovës, Ministri i Mbrojtjes Mediu, Ish Ministri i Jashtëm Milo, Preç Zogaj dhe ish Ambasadori në OKB, Agim Nesho.
Për t’i dhënë më shumë kolorit kisha vendosur që në vend të spektatorëve të përnatshëm të vendosja në rreshtin e parë Bandën e ushtrisë për të luajtur himnin e flamurit dhe ndonjë këngë tjetër patriotike ndërsa sfondi do të ishte i gjithi kuq e zi. Nga Kosova vinin lajme të ethshme dhe të gjithë kërkonin mbështetje për festën që ndryshe nga sa mendonte perëndimi, ata donin ta kishin mbrësëlënëse.
Në 6 të mbrëmjes më njoftuan se helikopteri me Limajn qe ulur në Tiranë. Lutfi Haziri po kalonte ndërkohë Elbasanin. Më kishin njoftuar se do të qëndronin në emision dhe do të niseshin po atë natë, për të qenë në Kosovë në mëngjes. Askush nuk donte të mungonte ato ditë.
Limajn e takova pak minuta më vonë në Hotel Tirana. Dukej i qetë dhe euforik. Më dukej se e kishte kapur po ajo eufori që i kisha njohur 9 vjet më parë, një ditë qershori të vitit 1999, kur e kisha takuar në ditën e fitores në Drenicë. Në një shtëpi të izoluar ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i UÇK – së dhe ku po zhvilloheshin bisedimet për çarmatim. Edhe atëherë kishte qenë kështu. Pak i hutuar, i qeshur dhe tejet euforik. Ishte një eufori që Tirana ja shtonte dhe që si shumë prej luftëtarëve të UÇK – së, e ndjente veten të lidhur fort me Shqipërinë.
Në 19.00 kaluam derën e Selisë së Kryeministrit. Berisha donte të takonte Limajn dhe Hazirin duke përfituar nga prania e tyre në Tiranë. Berisha ishte po ashtu i emocionuar. Kosova kishte qenë sfida e tij e madhe që përpara vitit 1990 dhe tani, befas, ora e madhe po mbërrinte. Ditët e fundit kishte qenë vazhdimisht i tillë, ndërsa tashmë, përballë tyre, përsëriste vazhdimisht: erdhi, erdhi! Biseda qe e shkurtër dhe e qetë. Berisha doli deri poshtë për t’i përcjellë ndërsa Presidenti Topi, i priste 10 minuta më vonë në shtëpinë e tij, një vilë në perfieri të Tiranës. Takimi me të qe po ashtu i shkurtër dhe gjithçka fokusohej tek data, ora dhe shqetësimi se si do të shkonte pavarësia. Edhe ai doli deri jashtë për të na përcjellë, pa i fshehur emocionet.
Telefoni nuk pushonte. Gjithkush donte të takonte Limajn dhe Hazirin, por koha ishte e pakët. Në 20.45 qemë gati në studion e emisionit Opinion. Banda po bënte provat e fundit dhe prania e tyre qe impresionuese. Majko ishte po ashtu tejet i emocionuar.
Emisioni nisi me himnin e flamurit. Befas, të gjithë u ngritën në këmbë. Në momentin e parë nuk e prisja. Ishte emocionuese. Një pritje 96 vjeçare që befas po merrte formë në ditët e fundit të saj. Një pritje ku përziheshin të gjitha. Dhimbja, trishtimi, vuajtja, por mbi të gjitha gëzimi që më në fund po arrinte diçka.
Në mes të emisionit, një lidhje direkte me Kosovën. Prishtina dukej e qetë, por dirigjenti i Bandës më kërkoi që ata të luanin diçka për Kosovën. Një këngë që e kishin përgatitur për këtë rast. U ngrita në pritje, kur filloi: “Për mëmëdhenë”. Një tjetër rast emocionues. Limaj, Haziri, por edhe Majko qenë të emocionuar. Limaj kishte luftuar për vite me UÇK – së, Haziri kishte qenë një i burgosur politik nën Serbinë. Tani dëgjonin tingujt e këngës së njohur, kishin pas shpine flamurin dhe prisnin ditën që kishin ëndërruar stërgjyshërit, gjyshërit dhe baballarët e tyre: ditën e pavarësisë!
Në fund, më mbetej të njoftoja se ne do ta ndiqnim festën e shqiptarëve çdo moment. Nga kudo ku jetojnë shqiptarë. Kisha bindjen se fshetësia e orës, moskonfirmimi i datës dhe ideja e ndërkombëtarëve për një shpallje të qetë nuk do të funksiononte. Kisha bindjen se Kosova do të festonte gjatë. Do të festonte jo vetëm për këtë ditë. Ata do të festonin për gjyshërit, baballarët, për të afërmit që e kishin ëndërruar dhe që kishin vdekur pa e parë këtë ditë; do të festonin për veten, por edhe fëmijët e tyre. Që do të rriteshin në një shtet të lirë dhe të barabartë, që do të rriteshin si qyetetarë me të gjitha të drejtat dhe jo si një minoritet i përbuzur; do të festonin së fundi për të gjithë shqiptarët, kudo që qenë dhe që e ëndërronin këtë ditë.
Ndërsa sigla e emisionit po njoftonte fundit, të ftuarit filluan të përqafohen. Kishte diçka të sinqertë dhe euforike në përqafimin e tyre.
Darka e shpejtë vijon tek Sofra e Ariut, ku të gjithë janë tejet entuziastë. Në fund, më konfirmojnë orën e përafërt: të diel, midis orës 15.00 dhe 16.00.
Afër mesnatës shpërndahemi. Fillojnë 72 orët më të rëndësishme në historinë e Shqiptarëve këtë shekull. Ose 72 orët më simbolike. Shqiptarët e Kosovës janë më të qetë. Ne disi më mosbesues. Kemi frikë se diçka mund të ndodhë. Në mbrëmje arrij të telefonoj Thaçin. Ai është fare i qetë: Ju presim në Prishtinë, thotë fare thjeshtë!
15 Shkurt
Të nesërmen nisemi afër mesditës. Rruga nga Tiranë në Qafë Thanë – Tetovë – Shkup – Prishinë, kalon kudo nga troje të jetuara prej shqiptarësh. Në gjithë trojet shqiptare shkëlqen një diell i plotë, por i ftohtë. Si në atë frazën monumentale të eposit të Kreshnikëve: Shumë po shndrit ai diell e pak po ngroh. Në fakt, moti ka pak shanse ta reduktojë entusiazmin. Kudo, që nga Struga në Shkup, pavarësia e së dielës është kryefjala e çdo bisede. Në kufi ka pak rradhë, ndërsa rruga nga Hani i Elezit për në Prishtinë ka edhe një tjetër surprizë, Kaçanikun. Qyteti është tejet i dekoruar, si rrallë kush tjetër.
Prishtina është e qetë kur hyjmë, por e gjitha e dekoruar kuq e Zi dhe entusiazmi duket kudo. Kryeredaktori i Ekspresit, Berat Buzhala ka gjetur axhendën e ditës së diel dhe pritet ta botojë. Në rastin më të parë ne e bëjmë publike atë: festimet fillojnë në 10.00 dhe mbarojnë në 23.00. Seanca do të jetë në ora 15.00 dhe pritet që pavarësia të jetë në ora 15.30.
Në hotel Grand, ku jemi vendosur, ka një lëvizje të pazakontë. Të panjohur kurrë më parë këtu. Mbi 2000 gazetarë të huaj janë instaluar në qytet dhe në hotel është vendosur: Prishtina Media Center!
Qyteti pritet të festojë të nesërmen, por në De Radë, një restorant tejet interesant, shik dhe tradicional njëherazi, strehë e shoqërisë in të Kryeqytetit festa ka nisur ndërkohë. Me veshjen kombëtare dhe flamurin kuq e zi në krahë, Niki, pret klientët me një entusiazëm që të bën për vete. Restoranti është dekoruar kudo me flamuj dhe të gjithë ata që janë brenda kanë një hare që nuk e kam ndeshur më parë. Dy ditë më vonë, hareja do të merrte përmasa impresionuese.
Jashtë bën ftohtë, por lëvijza e makinave ka nisur. Rrugës, në Kaçanik, makinat ndriçojnë me drita flamurin e përmasave gjigande vizatuar buzë rrugës; nga Prizreni vjen lajmi se kanë prodhuar një flamur 3000 metra të gjatë që do ta mbajnë në duar 1878 vetë, duke ruajtur simbolikën e vitit kur u mbajt Lidhja e Prizrenit, tentativa e parë zyrtare e Shqiptarëve për një shtet të tyrin në historinë moderne; në Klinë, një qytet me afro 15 mijë banorë, kanë mbledhur mbi 1 milion euro për festimet. Tezgat buzë rrugës nuk arrijnë të furnizojnë banorët me flamuj, shalle dhe tishërt ku shkruhen sllogane nga më interesantët. Në qendër të qytetit, nën një foto të Adem Jasharit është vendosur sllogani: Bacë, u krye! Sllogani, padyshim më emocionues i gjithë festimeve.
I pyes disa prej miqve të mij për flamurin, por nuk duken shumë të trishtuar. Kryhet nesër më thonë, po ç‘rëndësi ka! Aty është, nesër do festojmë me flamuj kuq e zi!
Në mbrëmje ka nisur dëbora. Nën të, ka filluar marrëshimi ende i lehtë i makinave të dekoruara me flamuj kombëtarë dhe ata të SHBA apo Bashkimit Europian. Eshtë vonë, por në Grand ka lëvizje. Përpara tij, kanë parkuar studiot lëvizëse të televizioneve të së paku gjysmës së globit! Vëmendja mediatike është kësaj here e paimagjinueshme…
16 Shkurt
Mëngjesi i së shtunës është i kthjellët, tejet entuziat. E bëjnë më shumë të tillë imazhet e kosovarëve të disporës që mbërrijnë çdo moment në aeroport, ata që vijnë nga Shqipëria dhe fillimi i festimeve. Armand Shkullaku, Andi Bushati dhe Mero Baze, nisen për në Fushë Kosovë.
Frika e asaj që mund të ndodhë me serbët është e madhe, por prej andej vijnë lajme të mira. Mandi dhe Bushati njoftojnë se çdo ëhstë e qetë ndërsa Mero më tregon se asnjë prej tyre nuk do të dalë as nga shtëpitë. Mund të ketë probleme vetëm në Mitrovicën e Veriut. Por për momentin edhe atje është qetë.
Në drekë, takohem me Hashim Thaçin në Restorant “Pëllumbi”. Ai ëhstë bashkë me Xhavit Halitin, Zekën, një prej militantëve të grupeve ilegale dhe themelues i UÇK –së, por edhe mbështetës i madh i raporteve mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Hashim Thaçi më thotë se një deputet serb, Rasim Lahiç, ka kërkuar që deputetët dhe anëtarët e qeverisë serbe të shpërndahen të diel nëpër enklavat serbe në Kosovë, për solidaritet. Thaçi duket i qetë. Edhe ai disi i shpërqëndruar dhe entuziast. Ruante po atë siguri të takimit tonë të parë, më qershor 1999. Atëherë ishim takuar në në kushte krejt të tjera në zyrën e Arbën Xhaferrit, në selinë e PDSH – së në Tetovë. Prishtina ishte çliruar prej 24 orësh dhe ai me një pjesë të qeverisë së tij priste të hynte në Kosovë. Ishte i ri, kishim një moshë, në prag të të 30 – tave dhe nuk e di pse çdo moment më ngjante më i madh. Ishte i kujdesshëm në çdo gjë, dinte t’i vlerësonte gazetarët dhe të sillej me ta me afërsi. Na premtoi se do të shkonim bashkë ne Kosovë, me një helikopter ushtarak gjerman dhe kështu ndodhi vërtet. Ne fluturuam me të dhe ata që e shoqëronin dhe ato filmime mbeten pjesa padyshim më e bukur dhe dëshmia e vetme e rikthimit në Kosovë. Kam qëndruar një ditë të tërë me të në një shtëpi të izoluar të malësisë së Drenicës, ku ishte Shtabi i Përgjitshëm i UÇK – së. Një seli e mbushur me komandantë që e thërrisnin njëri – tjetrin gjeneral dhe që mbanin uniforma kamuflazhi dhe automatikë të sofistikuar. E vetmja gjë që të binte në sy qe se pak nga ata e njihnin frikën, por po kështu, shumë pak prej tyre qenë realistë. Nuk pyesnin shumë për të tjerët, nuk donin t’ja dinin për atë që ndodhte jashtë UÇK – së dhe besonin se ajo që kishin bërë me luftën dhe Kosovën, ju justifikonte gjithçka. Atë moment pata menduar se shumë pak prej tyre do t’i mbijetonin stilit të ri të pas luftës, politikës në Prishtinë. Me përjashtim të Thaçit dhe Xhavit Halitit, vetëm Fatmir Limaj linte një përshtypje mbresëlënëse ndër ta.
Thaçi, si gjithë politikanët e tjerë të Prishtinës atë ditë ishte i rezervuar në informacione. Më tregoi vetëm se gjithçka do të ishte e qetë dhe se Kosova do ta priste këtë ditë krejt kuq e zi! Pranoi me kënaqësi të lejojë kameran tonë që ta filmojë ndërkohë që do të nisej për parlament dhe të rrëfente simbolet e reja.
Nuk ma ka kërkuar askush deri tani, më tha qetë. Do ishte mirë ta filmonin edhe të tjerë sepse imazhet mbeten në histori, por askush nuk e ka kërkuar këtë. Kujtoi edhe një herë vitin e largët 1999 dhe më kërkoi ndjesë. Duhej të nisej për homazh në Prekaz, në varret e Jasharëve dhe atë ditë ky ishte detyrimi moral më i madh i tij.
Në drekë festa kish nisur ndërkohë. Përpara Grandit, me mijëra vetë kishin bllokuar trafikun në mënyrë spontane dhe brohorisnin duke tundur flamujt kuq e zi. Një natë më parë më kishin thënë pikërisht këtë, dita e pavarësisë do të kishte grumbullimin më të madh të flamujve kuq e zi në historinë e shqiptarëve.
Ndërkohë moti është ftohur mjaft, por situata është shpërthyese, fantastike. Dikush më dhuron një shall kuq e zi me mbishkrimin KOSOVA, më të cilin dal në transmetim në ora 19.30. Festa ka filluar që prej orës 17.00 dhe nuk do të ndalë deri të hënën në mëngjes. 36 orë për 96 vjet pritje, po mendoja me vete!
Në mbrëmje rikthehem në De Radë. Niki është sërish aty, kësaj here më euforik. Është e paimagjinueshme ta mendosh se çdo sekondë entusiazmi rritet, tensioni po ashtu. Momenti historik po fillon të bëhet i ndjeshëm dhe i pranishëm. Shumë vetë më rrëfejnë se kanë qarë mbasdite duke parë pamjet e rrugëtimit kosovar që nga viti 1981 në TV. Qëndroj për darkë me Lutfi Hazirin, Izet Sadikun dhe Batonin deri vonë. Në mbrëmje vonë, Thaçi hyn në lokal bashkë me Zekën, një mik i vjetër nga vitet e qëndrimit në Tiranë dhe me disa prej ministrave të qeverisë së tij. Lokali shpërthen. Çdo moment që afrohet pavarësia, afrimi i kosovarëveme liderët e tyre bëhet me i prekshëm, më i ndjeshëm. Kështu do të ndodhte edhe një ditë më pas, kur Sejdiu dhe Thaçi do të dilnin bashkë në publik. Vështirë që politikanë të Kosoëvs të kenë pasur ndonjëherë një konsensus dhe mbështetje të tillë, si Thaçi dhe Sejdiu atë ditë. Ditën e pavarësisë.
Në darkë, gjithçka është sqaruar. Deklaratën e pavarësisë do ta lexojë Thaçi, përshëndetjen, Sejdiu, ndërsa në dokument do të firmosin të gjithë. Do mbeteni të befasuar, më thotë Fatmir Limaj, duke rrëfyer për letrën që do të përdorin me këtë rast.
Në darkë, Andi Bushati njofton live titullin e faqes së parë të gazetës Exspres. Nën tre foto, të Nikolla Pashiçit, Titos dhe Millosheviçit, dhe nën datat 1913 – 2008, është shkruajtur shprehja: Fuck You! Një gjetje mediatike që do të komentohej në të gjitha mediat e rëndësihsme botërore dhe që do të merrte të nesërmen përgjigje nga Beogradi, ku nën fotot e Bushit, Thaçit dhe Solanës, gazetat serbe kishin shkruajtur: Fuck Off!
17 Shkurt
Mëngjesi i pavarësisë është shpërthyes. I ftohti i natës është reduktuar dhe në Grand nuk ecën dot. Një moment gati më ngjeshin pas murit. Kuptova se Hashim Thaçi ka mbërritur në Media Center, për të njoftuar se në orën 10.00 i ka dërguar Kryesisë së Parlamentit kërkesën për një mbledhje të Jashtëzakonshme. Mbledhja duhet të fusë në rend të ditës shpalljen e pavarësisë!
Deklarata e tij pritet me ovacione të pafundme. Nuk kuptohet se kush është gazetar dhe jo në sallë. Ndërkohë më njoftojnë se ekipi i Klan ka nisur një transmetim maratonë që mbulon thuajse gjithë Ballkanin e përtej: Prishtinë, Tiranë, Beograd, Bruksel dhe shumë qytete të tjerë.
Që prej orës 11.00 deri në 14.00 nuk ka asgjë tjetër veç entusiazëm. Liderët kosovarë janë të grupuar në mbledhje të gjata, ndërsa jashtë atmofera është krejt tjetër. Kanë mbërritur me dhjetra vetë nga shqipëria. Midis tyre, një nashkim i grupeve polifonike të labërisë, që kanë udhëtuar mbi 18 orë për të qenë bashkë me shqiptarët e kosovës. Kanë sjellë me vete një këngë, që në transmetim të drejtëpërdrejtë në një nga lidhjet e TV KLAN, do të entusiazmojë Prishtinën!
Është një këngë që flet për çdo krahinë të Kosovës, për trimat e saj, që me ison e zgjatur labe e bën Prishtinën të ndizet krejt.
Ndërsa grupi lab ikën nëpër rrugët e stërmbushura të Prishtinës, me mijëra vetë i ndjekin pas. Kam përshtypjen se më shumë se sa sakrifica, kënga, entusiazmi, ajo që veçohej ishte prania e tyre këtu. Prania e jugut të Shqipërisë, që në një entusiazëm të paparë po e përjetonte festën e kosovës si festën e tyre të vërtetë.
Ndërkohë Klan ka filluar lidhjet live me gjithë rrethet. Atmosfera në Shqipëri është befasuese. Nga Tirana në Durrës, nga Vlora në Korçë e Gjirokastër, e gjithë Shqipëria është në rrugë. Jemi të gjithë të befasuar, por edhe krenarë për këtë që po ndodh.
Por qendra e gjithçkaje është këtu. Prishtina është në festë. Një festë gjigande, plot detaje mahnitëse, që vetëm një popull i shtypur dhe me një ëndërr 100 vjeçare mund të dijë t’i çlirojë. Në fakt, ka tre lloje grupesh në festë. Ata që janë të rinj, nën 20 vjeç, e presin të gjithë si festën e tyre të madh, si triumfin e diçkaje që e kanë pritur për 10 vjet; ata që janë midis 20 dhe 45 vjeç si triumfin e diçkaje që e kanë pritur gjatë në jetë, që e kanë besuar dhe që një ditë është bërë realitet. Shumë prej atyre mbi 50 vjeç, sidomos në qytet duken si të hutuar. Jugosllavia nuk është më dhe tashmë, edhe kujtimi i saj. Që sot, ai kujtim do të vdesë, bashkë me ëndërrën titiste të Bashkim Vëllazërimit, që ata e kishin besuar vërtet. Tani Jugosllavia nuk mund të jetë më dhe koha nuk kthehet pas. Tashmë, pa një ëndërr të tyren, ju duhet të hyjnë në kohën e re. Kohë, që nuk mund të jetë më koha e tyre…
Rreth orës 14.30 Kryeministri Hashim Thaçi më thërret në telefon.
Nisem për 20 minuta më thotë. Mund të filmoni çdo gjë që keni kërkuar. Kam lajmëruar edhe kameran e RTK –së, por askush tjetër nuk është bërë kurioz.
Rruga deri në selinë e Qeverisë është plot, por ja arrij të hyj në kohë.
Thaçi është ende pa kravatë dhe më rrëfen mbi tavolinën e tij të mbledhjeve, flamurin e ri të Kosovës. Harta e Kosovës me 6 yje që përfaqësojnë 6 komunitetet etnike dhe fushë blu. Po ai flamur që i ndjeri Mahmut Bakalli më kishte parashikuar tre vjet më parë. Në fund të korridorit, në një dhomë, po përfundon së shkruari deklarata e Pavarësisë. E shkruar me dorë, mbi një papirus 700 vjeçar, të blerë në Londër, ajo është impresionuese.
Kryeministri është vonë. Kalon në dhomën tjetër për të vendosur kravatën dhe niset. Berat Buzhala dhe unë e ndjekim pas. Një gazetar nuk mund të ëndërrojë asgjë më shumë se sa të jetë dëshmitar i afërt i një dite të tillë. Batoni na bashkohet pas pak.
Hashimi duket i emocionuar. Ai zbret shkallët shpejt dhe nga nxitimi ecën në lulishten e përbaltur. Ismail Qemali u zhyt në baltë me gjithë karrocë i them nga pas, ti vetëm me këpucë. Qesh. Më shumë se një ecje drejt kuvendit, ecja e tij është një ecje drejt historisë. Më vjen në mend momenti i fundit kur ngjitej në helikopter në qershor 1999 për të hyrë në Kosovën e lirë. Tani një moment i dytë i tillë, një moment për 100 vjet pritje dhe mundim.
Në korridor takon Presidentin Fatmir Sejdiu. Një politikan popullor në Kosovë, i kulturuar dhe padyshim me patriot. Një prej atyre që bashkë me Thaçin nuk i kanë dhënë festës nota titiste, përkundrazi… Të dy bashkë hyjnë në sallë.
Ngjitem në një nga llozhat e Sallës së Parlamentit. Fillon seanca që Shqiptarët e kanë pritur një shekull. Në rend të ditës, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Fillojnë fjalimet. Eshtë ora 15.30 e datës 17 shkurt 2008. Krasniqi fton Thaçin të lexojë deklaratën e pavarësisë. Deklarata është e vendosur aty, më impresionuese se kurrë. Thaçi ngrihet ngadalë. Eshtë ora 15.39 kur ai shqipton frazën magjike: Kosova do të jetë Shtet i pavarur, sovran dhe demokratik!
Salla shpërthen.
Nga plateja ku jam vendosur, dalloj disa prej figurave që i njoh prej vitesh në Kosovë. Në qendër është Rifat Jashari, njeriu i familjes së Adem jasharit, që i masakrua 10 vjet më parë, duke u bërë një prej familjeve më martire në botë. Krejt i përlotur, mjekra e tij dridhet ndërsa Thaçi flet. Më pas janë ulur pranë e pranë Qosja me Demaçin, pas tyre, Sulejman Selimi, Komandanti i TMK – së, ndërsa pranë meje, gruaja e Ish Presidetit Rugova, Fana dhe djali i tij, Mendimi. Gruaja e Rugovës është gjithë kohën e përlotur. Jam i bindur se këtë moment në kujtesën e saj janë shtresëzuar gjithë vitet e lodhshme dhe të ashpra të betejës për pavarsi. Një betejë në të cilën bashkëshorti i saj, kishte një vend kulmor. Ai nuk ishte më prezent në atë parlament, por gjithsesi, me debatet por dhe kundër, historia e Shtetit të ri të Kosovës do t’i rezervojë atij një vend krejt të veçantë.
Ka ardhur momenti magjik i votimit dhe Krasniqi, ky luftëtar i vjetër lëshon frazën magjike. Votoni. Duart ngihen lart. Të gjithë dakort, asnjë kundër. Në sallë mungojnë deputetët serbë.
Po ato momente, TV KLAN është fokusuar tek dy figurat më të rëndësishme të Shtetit Shqiptar. Presidenti Bamir Topi po e ndjek ceremoninë familjarisht në shtëpinë e tij, ndërsa Kryeministri Berisha në zyrë. Të dy çohen në këmbë tejet entuziastë.
Në momentin e fundit të dy shpërthejnë në duarttrokitje.:
U KRYE! Asgjë më shumë se kaq! U Krye! 96 vjet dhimbje, harrim, mbijetesë! Tani mbaroi, u KRYE!
Festa ka shpërthyer kudo, në tiranë, po aq sa në ShBA, Gjermani, Zvicër, Francë!
Trishtimi ka zbritur fort në Beograd. Desada Metaj njofton prej andej se ata janë tejet agresivë. Që nga ky moment gjithçka është festë, festë dhe vetëm festë.
Në ora 21.00 vijojmë me transmetime të gjata nga Grand Hotel. Prishtina mezi e përballon gjithë këtë entusiëzëm. Pak më vonë vjen lajmi se gazetarët e huaj në Beograd janë rrethuar nga huliganë. Mes tyre edhe Desada Metaj. Lajmi pritet me ankth në Prishtinë, por edhe me entusiazëm kur mësojnë se gjithçka është mbyllur mirë. Fatmir Limaj kthehet edhe një herë përpara kamerave tona për të na dhuruar një shishe shampanjë si dhuratë.
Në ora 23.00 Sejdiu dhe Thaçi ngjiten në tribunën e festës. Përshëndetja e tyre vijon me fishekzjarret nga katër pika të Prishtinës, që ju kujtojnë të gjihëve se sot, një shtet i ri ka lindur në botë: Republika e Kosovës!
Ndërsa festa vjen duke u bërë më private, Tv KLAN vijon transmetimin e tij maratonë. Janë të gjithë të lodhur, por në këtë ditë të veçantë, të gjithë kanë ditur të jenë po kaq impresionues.
18 Shkurt
E hëna gshin një ditë e mrekullueshme dhe institucionet e Kosovës kanë marrë urdhër të fillojnë punë. Autoritetet nuk kanë dashur që dita e parë e Shtetit të Kosovës të jetë pushim. Duan të fillojnë me punë. Në mesditë kryej lidhjen e fundit para nisjes:
Në 14.00 është fiksuar një intervistë me Presidentin Fatmir Sejdiu. Ne do t’i shkojmë të gjithë për ta uruar për ditën e pavarësisë. I gjithë grupi që ka ndjekur këtë moment magjik.
Përpara saj, në Media Center, organizojmë emisionin e fundit. Janë të gjithë të lodhur, por edhe në humor. Në qendër të shakave është Baton Haxhiu, gazetari i njohur i Prishtinës, po kaq popullor në Tiranë që tashmë i duket se nuk ka më kundërshtar.
Pas emisionit nisemi për takim me Presidentin Sejdiu. Shkojmë të gjithë dhe ai është tejet i kujdesshëm dhe miqësor. Ky profesor i vjetër universiteti, jurist me profesion, ka arritur pas një karriere 19 vjeçare ëndërrën që kanë përcjellë me miliona kosovarë që prej vitit 1913, pavarësinë e vendit të tij. Tani është i qetë. Mero Baze, një prej njohësve më të mirë të Kosovës në Shqipëri e njeh prej vitesh dhe raporti i tyre është më miqësor. Sejdiu rrëfen se gjithë natën kanë qëndruar bashkë me të tjerë duke nisur letrat e kërkesës për pavarësi dhe se mbasdite presin përgjigjet e para. Ai na dhuron një libër të brahim Rugovës.
Kanë kaluar pak momente kur një ndihmës e njofton se Beogradi ka nxjerrë urdhër arresti për të, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin. Sejdiu qesh. Pak minuta më vonë, kur ja themi këtë Hashimit, ai pyet si me habi:
Prapë?
Eshtë mandati i 7 apo i 8 i arrestitit që Beogradi nxjerr ndaj tij.
Sejdiu jep intervistën e parë si President i Republikës së Kosovës. Republikës së pavarur:
Në ora 15.00 kalojmë prej aty në zyrën e Thaçit. Hashimi na pret së bashku me Hajredin Kuçin dhe Fatmir Limajn. Janë të tre të qeshur dhe euforikë.
Duke i parë, duke biseduar dhe duke qeshur, ka një moment që më befason. 15 vjet më parë, një grup prej tyre, disa dhjetra vetë u nisën drejt idesë më të pabesueshme të botës: të fitonin ushtarakisht me serbinë dhe të fitonin pavarësinë e Kosovës. Një dekadë e gjysëm më pas, Thaçi dhe Limaj qëndronin në zyrën e Qeverisë së Kosovës, shtetit më të ri në botë, shtetit që ata e kishin bërë realitet, atëherë kur nuk e besonte askush, duke ju rikthyer shqiptarëve buzëqeshjen dhe ëndërrën 100 vjeçare.
Ndërsa qëndronim aty, RTK nisi transmetimin e thirrjes që Thaçi ju drejtonte bashkëatdhetarëve, thirrjes që më shumë se çdo gjë, mund të rrëfente atë që ndodhi dhe atë që ne besojmë se do të vijë:
Unë sot, i tregova djalit tim, që këtë ditë s’duhet ta harrojë kurrë, thotë ai. Flisi edhe ju me fëmijët tuaj, tregojuni për këtë ditë, që ata të flasin me fëmijët dhe fëmijët e fëmijeve të tyre; ne ja arritëm, por kjo ditë kishte plot mund, tregojuni të gjithëve, që ta përjetësojmë. Që sot ne do të jetojmë në shtetin tonë, të lirë…
Blendi Fevziu